Ekziston rrezik që çmimet në vend të rriten, por Qeveria çdo ditë po e ndjek situatën në Lindjen e Mesme dhe do të reagojë nëse ka pasoja – deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi. Ai pohon se analizat ndërkombëtare tregojnë se çmimet ende janë stabile.
“Ekziston një rrezik i tillë që çmimet të mund të rriten. Çdo ditë e monitorojmë situatën. Ne si Ministri e Ekonomisë dhe Punës punojmë në drejtim të sigurimit të një tregu stabil, të mbrojmë të drejtat e punëtorëve, të ndihmojmë ekonominë, ndërsa në pjesën e Qeverisë, nëse ndodhin rreziqe të tilla, do të jemi aty, në mënyrë transparente do të marrim vendime”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Qeveria pret që konflikti në Lindjen e Mesme të përfundojë shpejt dhe shpreson se vendin nuk e pret një krizë tjetër dhe një shok inflacioni. Ministrja e Financave, Kocoska, dje deklaroi se nëse ministritë e tjera kërkojnë, Qeveria do të vendosë nëse do të shpallet gjendje krize.
“Në baza ditore po ndiqet situata. Do të shohim si do të jenë gjendjet më tej. E dini se edhe në vetë ligjet janë paraparë kushtet dhe kur mund të ketë ndryshime të caktuara. Kështu që do të shohim si do të zhvillohet situata dhe në përputhje me këtë do të reagojmë”, u shpreh Gordana Dimitrieska Koçoska – ministre e Financave.
Nga Ministria e Energjetikës thonë se në rast se do të ketë mungesë në furnizim, rezervat vendore të naftës janë stabile dhe do të përdoren me vendim të Qeverisë për shpalljen e krizës energjetike.
Në rast të shpalljes së gjendjes së krizës, Qeveria ka në dispozicion disa mekanizma. Agjencia për Rezervat e Naftës ka obligim ligjor të sigurojë sasi për funksionim të pandërprerë të ekonomisë për 60 deri në 90 ditë. Ministria e Financave mund të ulë akcizën për karburantet deri në 4 denarë ose TVSH-në për importin e energjensave nga 18 në 10 për qind. Gjithashtu mund të merren masa si për mbrojtjen e qytetarëve nga çmimet e larta, ashtu edhe për bizneset e prekura.
