Lidhur me takimin me përfaqësuesit e korit diplomatik me kryeministrin Gruevski para mesnatës që kishte të bëjë me zbatimin e marrëveshjes së Përzhinos, kumtesë lëshoi edhe Qeveria e Maqedonisë.
Siç thuhet, në takim është theksuar angazhimi për gjetjen e zgjidhjeve për tejkalimin e sfidave që lidhen me zbatimin e marrëveshjes. Kryeministri ka theksuar përkushtimin ndaj marrëveshjes dhe zbatimin e detyrimeve në esencë dhe parimisht, si dhe domosdoshmërinë për përkushtim të barabartë të të gjitha palëve të përfshira.
Siç ceket në kumtesën e lëshuar nga shërbimi për informim i Qeverisë, përfaqësuesit e korit diplomatik, siç kanë informuar në takim, do të kenë bisedime me përfaqësuesit e të gjitha partive politike në drejtim të inkurajimit për finalizim të marrëveshjes.
