Qeveria në kërkim të parave për “Çebrenin”! Bozhinovska: Duam të jetë projekti ynë, por buxheti është në gjendje të keqe

TË FUNDIT

Qeveria formalisht ende dëshiron që vetë ta ndërtojë Hidrocentralin “Çebren”, por nga ana tjetër po kërkon investitorë për ndërtimin e këtij objekti strategjik energjetik. Edhe pse ende formalisht nuk është përcaktuar modeli i financimit – nëse do të jetë shtetëror, privat apo përmes partneritetit publiko-privat – sipas ministres së energjetikës dhe minierave Sanja Bozhinovska, aktualisht është e vështirë që “Çebreni” të ndërtohet vetëm nga shteti. Për momentin, një kompani japoneze dhe një franceze janë të interesuara për ndërtimin e këtij objekti, i cili deri tani ka pasur 13 tenderë të pasuksesshëm për këtë qëllim.

“Mendoj se për një muaj ose dy, do të kemi më shumë informacione, po punohet, por siç e dini buxheti nuk është në gjendjen më të mirë. Megjithatë do të shohim, sepse bëhet fjalë për investime mbi një miliard euro”, tha Sanja Bozhinovska.

Sipas Bozhinovskës, “Çebreni” nuk mund të futet në buxhet si investim kapital, sepse në mbledhjet e Qeverisë ka pasur shumë dëshira për investime.

“Ky është projekti më kapital në shtet, por megjithatë ka edhe nga shëndetësia dhe transporti, ka shumë investime të tjera. Duhet të shohim dhe të biem dakord cili është prioritet në nivel shteti”.

Do të thotë, kjo dëshirë nuk po ju realizohet?

-Do të thotë, ka shumë dëshira, duhet të shohim çfarë është reale.”

Megjithatë, realiteti i deritanishëm tregon se gjatë rreth dhjetë viteve të fundit janë planifikuar investime kapitale vjetore prej 500 deri 750 milionë euro, ndërsa në praktikë janë realizuar 350 deri 450 milionë. Milionët e parealizuar më pas shpenzoheshin për shpenzime të tjera buxhetore si pensione, paga ose detyrime të tjera të prapambetura, të cilat nuk gjenerojnë rritje ekonomike.

“Çebreni” do të ndërtohej nga 7 deri në 10 vjet, që do të thotë se çdo vit nga buxheti do të ndaheshin 150 deri 200 milionë euro, pra pothuajse aq sa zakonisht nuk realizohen gjatë vitit. Bozhinovska thotë gjithashtu se gjendja e buxhetit e ka lënë mënjanë idenë që ky hidrocentral të financohet me para nga marrëveshja me Qeverinë britanike me vlerë gjashtë miliardë euro.

Ndërkohë, është paralajmëruar një ofensivë e madhe energjetike në periudhën e ardhshme. Janë pranuar 67 iniciativa të kompanive që kanë kaluar filtrin e parë dhe në periudhën në vijim do të mund të ndërtojnë kapacitete energjetike me fuqi të instaluar prej 4.4 gigavatësh, në vlerë prej 3.7 miliardë euro. Po ashtu, janë miratuar 96 iniciativa për ndërtimin e 96 depozitave të energjisë me fuqi prej 2 gigavatësh, kapacitet gati 5 gigavat-orë dhe vlerë rreth dy miliardë euro. Do të ndërtohet edhe një termocentral kogjenerues me gaz me fuqi 495 megavat dhe vlerë 445 milionë euro.

Edhe pse këto shifra janë të shkëlqyera, për momentin ato janë vetëm iniciativa dhe nuk dihet nëse të gjitha do të realizohen dhe kur do të përfundojnë projektet.