Kabineti qeveritar po dërgon sinjale se mund t’i hapin dyert Aleancës për Shqiptarët, që kjo e fundit të futet brenda saj. Kryeministri Kovaçevski kur u pyet për hyrjen e ASH-së në Qeveri tha se është i gatshëm për bashkëpunim me të gjitha ata që duan ta shohin Maqedoninë si anëtare e BE-së.
“Të gjitha ato parti politike që kanë qëllim të qartë dhe ajo është ardhmëri e qartë evropiane për shtetin tonë si anëtare e plotë e BE-së për të cilën unë personalisht po angazhohem te gjitha këto parti politike gjithmonë do ta kenë derën e hapur për bashkëpunim me mua.”- Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Edhe nga BDI nuk e përjashtojnë mundësinë që ASH të bëhet pjese e Qeverisë. Zëvendëskryeministri Artan Grubi por edhe ministri i jashtëm Bujar Osmani thonë se të gjitha forcat proeuropiane janë të mirëseardhura në Qeveri dhe ekziston momentum politik i cili imponon bashkëpunim më të gjerë.
“Të gjitha forcat që përkrahin integrimin europian të MV duhet që t’i koncentrojnë forcat për realizimin e ndryshimeve kushtetuese dhe të gjitha reformave të cilat nevojiten për tu integruar në BE- tha Artan Grubi – Zëvendëskryeministër .
“Ekziston një momentum politik i cili imponon bashkërendim dhe bashkëpunim më të gjerë të partive politike. Jo për arsye të komoditetit të Qeverisë për shkak se Qeveria e ka komoditetin me 64 deputetë, Mirëpo për arsye të sfidave në të cilën ndodhet Qeveria.”- pohoi Bujar Osmani – Ministër i Jashtëm.
Ndryshe një ditë më parë kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe u.d kryetar i ASh-së, Arben Taravari u takuan në Qeveri por thanë nuk ka qenë temë e diskutimit zgjerimi i Qeverisë.
Taravari nuk hedh poshtë mundësinë për të qenë pjesë e Qeverisë, megjithatë thotë se do të kenë vijat e tyre të kuqë, të cilat janë të përfshira në një paket masash të cilat do t’i prezantojnë kur do që të ketë ofertë për hyrje në Qeveri.
