Qeveria e Tajvanit pas paralajmërimit të Trump: Ishulli është i pavarur

TË FUNDIT

Qeveria e Tajvanit thotë se ishullin është entitet i pavarur, duke reaguar ndaj deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili e paralajmëroi për një deklarim të mundshëm të pavarësisë që mund të shkaktonte luftë me Pekinin.

“Tajvani është një komb demokratik, sovran dhe i pavarur që nuk është nën varësinë e Republikës Popullore të Kinës”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Tajvanit, e cila shton se politika e Uashingtonit mbetet “e pandryshuar”.

Në një intervistë televizive të regjistruar pak para largimit nga Pekini, ku presidenti kinez Xi Jinping dha deklarata veçanërisht të ashpra për ishullin, Donald Trump paralajmëroi dje Tajvanin që të mos shpallë pavarësinë.

“Nuk dua që askush të shpallë pavarësinë, dhe pastaj, e dini, të na duhet të udhëtojmë 15.000 kilometra për të shkuar në luftë”, tha presidenti amerikan në “Fox News”, duke u bërë thirrje Taipet dhe Pekinit të “ulin tensionet”.

“Nuk duam që dikush të thotë: ‘Le të shpallim pavarësinë sepse SHBA na mbështet’”, shtoi ai, duke theksuar se ende nuk ka marrë vendim për shitjen e armëve amerikane në ishull.

“Sa i përket shitjes së armëve midis Tajvanit dhe SHBA-së, kjo nuk është vetëm një detyrim i SHBA-së për sigurinë e Tajvanit i përcaktuar qartë me Ligjin për Marrëdhëniet me Tajvanin, por edhe një formë e parandalimit të përbashkët ndaj kërcënimeve rajonale”, tha Ministria e Jashtme e Tajvanit.

Xi Jinping në një paralajmërim të rrallë të ashpër për Donald Trump tha: “Çështja e Tajvanit është më e rëndësishmja në marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA-së. Nëse e menaxhojmë si duhet, marrëdhëniet mund të mbeten kryesisht të qëndrueshme. Nëse e menaxhojmë keq, të dy vendet do të përplasen.”

Kina e konsideron Tajvanin si një nga provincat e saj, të cilën nuk ka arritur ta ribashkojë me pjesën tjetër të territorit që nga fundi i luftës civile kineze në vitin 1949. Pekini mbështet një zgjidhje paqësore, por ruan të drejtën për të përdorur forcën.