Me 124 vota “për”, 70 “kundër” dhe 36 “të përmbajtur”, Kuvendi Popullor i Bullgarisë mbrëmë zgjodhi qeverinë e re të kryesuar nga Rumen Radev. Propozim-përbërja qeveritare u mbështet vetëm nga deputetët e Bullgarisë Progresive – partia e sapoformuar e Radevit, e cila fitoi bindshëm në zgjedhjet parlamentare. Qeveria e porsazgjedhur përbëhet nga kryeministri, katër zëvendëskryeministra dhe 18 ministra. Pas formimit të qeverisë së re në Bullgari filluan përplasjet politike mes partive politike në Maqedoninë e Veriut. Nga partia në pushtet VMRO-DPMNE akuzojnë opozitaren LSDM-në se i afrohen Bullgarisë dhe janë të gatshëm të bëjnë lëshime politike për të arritur pushtet, pa vendosur vija të qarta kombëtare.
“LSDM dhe Filipçe i bëjnë lajka Bullgarisë dhe dërgojnë mesazhe se janë gati për një tradhti të re kombëtare. LSDM dhe Filipçe nuk kanë vija të kuqe, ata për pushtet menjëherë do të bënin tradhti të reja. Filipçe vazhdimisht deklaron se menjëherë është i gatshëm për ndryshime kushtetuese, pa garanci se për Maqedoninë kjo do të ishte pengesa e fundit. Plani për shkatërrimin e Maqedonisë i Zoran Zaevit për një ditë më shumë pushtet, tani Venko Filipçe dëshiron ta vazhdojë, duke iu bërë lajka për të përmbushur agjenda të vendeve të tjera”, tha Valentin Manasievski.
E nga LSDM akuzojnë VMRO-DPMNE-në për hipokrizi dhe manipulim me patriotizmin.
“Nuk mund të krijohen konflikte të qëllimshme me Bullgarinë, të mblidhen pikë politike patriotike mbi këtë, ndërsa në prapaskenë të jetohet dhe të udhëtohet me pasaportë bullgare. Në fund del se nga bullgarët na mbrojnë bullgarët”, tha Andrej Zhernovski.
Ndryshe, dje ministri i Jashtëm Timço Mucunski deklaroi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk është e gatshme për ndryshime kushtetuese, duke përmendur mungesë gatishmërie për dialog nga ana e Bullgarisë. Sipas tij, vendi ynë gjithmonë ka qenë i gatshëm për dialog dhe mbetet i hapur për bashkëpunim edhe tani, megjithatë, siç theksoi ai, mungesa e vullnetit për një dialog të tillë ka ardhur nga Bullgaria fqinje, konkretisht nga njëra prej qeverive të mëparshme politike atje.
