Qeveria e re gjermane pritet të legalizojë kanabisin

TË FUNDIT

Koalicioni i ri qeverisës në Gjermani që pritet të formohet kërkon të legalizojë kanabisin.

Me legalizim pritet që t’i hapet rruga shpërndarjes së kontrolluar të kanabisit për të rriturit për rekreacion në dyqane të licencuara, por ende nuk dihet nëse do të lejohet kultivimi.

Tre partitë, Social Demokratët, Të Gjelbërit dhe Demokratët e Lirë zbuluan marrëveshjen të mërkurën.

Pakti parashikon formimin e qeverisë së re nën drejtimin e kancelarit, Olaf Scholz.

Liderët e Të Gjelbërve, Annalena Baerbock dhe Robert Habeck thanë në një komunikatë se marrëveshja u arrit pas “negociatave intensive” dhe do të vendosin një kursi të ri për ndryshime në Gjermani.

Sipas marrëveshjes për koalicionin, SPD do të marrë kancelarin federal, Ministrinë e Brendshme, të Punës, Mbrojtjes dhe Shëndetësisë.

Të Gjelbërit do të marrin postin e zv.kancelarit dhe drejtimin e ministrisë së Jashtme, të Ekonomisë, Mbrojtjes së Klimës dhe disa ministri të tjera.

Ndërsa FDP do të kenë ministrinë e Financës që mund ta drejtojë lideri, Christian Lindner. Gjithashtu do të drejtojnë Drejtësinë, Transportin dhe Arsimin.

Partitë e koalicionit gjetën dakordësi për të kufizuar borxhin që prej vitit 2023.

Aktualisht në BE janë vetëm Holanda dhe Luksemburgu që kanë legalizuar përdorimin e kanabisit për rekreacion nga ana tjetër janë disa shtete që lejojnë përdorimin e bimës narkotike në mjekësi.

Gjermania aktualisht lejon përdorimin e bimës narkotike për të gjithë të sëmurët që janë të konsultuar me mjekun dhe nuk kanë asnjë terapi alternative.

MARKETING I PAGUAR POLITIK