Qeveria ka vendosur ta zgjasë vlefshmërinë e masave për uljen e presionit të çmimeve dhe mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve deri më 1 qershor të këtij viti, përcjell TV21. Vendimi është miratuar në seancën e jashtëzakonshme të sotme të Qeverisë dhe u bë i ditur nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas saj, vazhdimi i masave synon të sigurojë stabilitet dhe parashikueshmëri në kushte të sfidave ekonomike dhe paqëndrueshmërisë në tregjet botërore të energjisë.
“Si Qeveri dhe Ministri e Financave sigurojmë stabilitet dhe parashikueshmëri, ulje të presioneve inflacioniste, mbështetje për ekonominë dhe ruajtje të standardit të qytetarëve”, shkroi Dimitrieska-Koçoska.
Me vendimin e ri, edhe për dy javët e ardhshme do të vazhdojë zbatimi i akcizave të ulëta për karburantet, si dhe TVSH-ja e reduktuar për benzinat nga 18 në 10 për qind. Masa e mëparshme duhej të skadonte më 18 maj.
Të hënën skadon edhe afati i zbritjeve që ofron OKTA, e cila në shumicën e pikave të karburanteve në vend jepte zbritje prej tre denarësh për litër naftë dhe dy denarësh për benzinat.
Nga Qeveria theksojnë se masat janë pjesë e aktiviteteve më të gjera për zbutjen e goditjeve ekonomike ndaj qytetarëve dhe ekonomisë në periudhë të pasigurisë globale ekonomike.
