Qeveria e Kosovës, ka miratuar sot masat e reja për parandalimin e përhapjes së KOVID-19, të cilat do të hyjnë në fuqi nga e dita e nesërme, 13 nëntor 2019, në orën 18:00.
Masat ndahen në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e portokalltë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.
Në pikat kufitare do të vendosen ekipet mjekësore për kontrollin e qytetarëve që hyjnë në Kosovë.
Po ashtu, komunat do të ngrisin shtabet emergjente, me qëllim që të mbikëqyret situata epidemiologjike.
Ndërsa, arsimi i lartë do të kalojë plotësisht online.
Komunat me rrezik të lartë të infeksionit janë ato që kanë mbi 150 persona të infektuar në 100.000 brenda javës.
Në këto komuna, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve, do të ketë orë policore dhe ndalohen hyrjet daljet në këto komuna deri në ora 05:00.
Komunat me rrezik të mesëm të infeksionit janë ato që kanë prej 76 deri në 149 persona të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.
Komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e portokalltë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00.
Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 18:00, pas orës 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.
Qendrat tregtare lejohen të punojnë prej orës 05:00 deri në ora 18:00.
Në këtë zonë, hyjnë të gjitha komunat tjera që nuk janë pjesë e zonës së kuqe dhe të gjelbër.
Në Zonën e gjelbër – rrezik i ulët hyjnë komunat me rrezik të ulët të infeksionit, që kanë 1 deri në 75 persona të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.
Në komunat që hyjnë në këtë zonë me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00.
Transporti publik në këto komuna do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve.
Qendrat tregtare në këto komuna do të mund të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 20. Veprimtaria e hotelerisë dhe gastronomisë ndalohet pas orës 20:00, përveç shërbimit” merre me vete” dhe “porosi me dërgesë”.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.178 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 767 raste pozitive, derisa janë raportuar edhe 8 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.
Sipas institutit, rastet e vdekjes janë nga komunat: Prizren 4 raste (87, 84, 61 dhe 60 vjeç), Gjilan 2 raste (89, 77 vjeç), Prishtinë 1 rast (74 vjeç), Suharekë 1 rast (70 vjeç).
“Numri total i rasteve pozitive është 26.888 raste nga 113.738 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 784 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 186 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 16.685 raste, kurse numri i rasteve aktive është 9.418. Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 434 raste, Gjilan 58 raste, Mitrovicë 41 raste, Gjakovë 33 raste, Ferizaj 31 raste, Fushë-Kosovë 29 raste, Lipjan 16 raste, Viti 14 raste, Vushtrri 13 raste, Skenderaj 12 raste, Kamenicë 11 raste, Podujevë 11 raste, Rahovec 11 raste, Prizren 9 raste, Obiliq 8 raste, Suharekë 7 raste, Drenas 5 raste, Kaçanik 5 raste, Deçan 4 raste, Pejë 4 raste, Shtime 4 raste, Dragash 2 raste, Klinë 2 raste dhe me nga një rast komunat Graçanicë, Istog dhe Novobërdë”, thuhet në njoftim.
Persona aktivë të sëmurë në Kosovë, sipas të dhënave të fundit zyrtare janë 8.845
