Qeveria e Kosovës sot vendosi të formojë Zyrë për mbështetjen e banorëve të Luginës së Preshevës, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Sipas kryeministrit Avdullah Hoti, ky institucion do të punojë për mbështetjen e shkollave, sigurimin e teksteve shkollore dhe materialeve të tjera mësimore, mbështetjen e aktiviteteve kulturore, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, nxitjen e punësimit përmes bashkëpunimit të odave ekonomike dhe ngjashëm.
“Qytetarët të cilët jetojnë në Luginën e Preshevës përballen me probleme të ndryshme dhe vështirësi dhe kjo zyrë do të ofrojë aspekt social, arsimor, kulturor dhe ekonomik. Duke i pasur parasysh problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët atje, Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të ofrojë asistencë për lehtësimin e jetës së tyre, duke mbajtur llogari për ta përmes zyrës së veçantë në kuadër të Zyrës së kryeministrit”, deklaroi Hoti.
Në seancën e sotme të Qeverisë së Kosovës janë miratuar 14 marrëveshje të cilat duhet të nënshkruhen me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë në seancën e ardhshme të përbashkët, më 2 tetor, në qytetin e Shkodrës në Shqipëri. Një prej këtyre marrëveshjeve, sipas Hotit, parasheh formimin e fondit të përbashkët për mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. ia/shk/
