Qeveria do ta përshpejtojë procesin e regjistrimit, DPMNE-ja: Ky është operacion i dyfishtë

TË FUNDIT

Një ditë pas shpalljes së Metodologjisë për zbatim të regjistrimit, Qeveria thotë se ka për qëllim të sigurojë parime unike për organizimin e regjistrimit ku do të zbatohet një qasje e kombinuar metodologjike. Nga Qeveria thonë se kjo Metodologji do ta përshpejtojë procesin, kurse në të njëjtën kohë do të merren të dhëna më relevante. Prej atje vlerësojnë se regjistrimi do të mbahet në përputhje me standardet e Kombeve të Bashkuara dhe “Eurostat-it”.

“Metoda e kombinuar e regjistrimit e cila është futur për zbatim të suksesshëm të regjistrimit, është një qasje komplekse metodologjike dhe teknologjike. Ofron më shumë mundësi duke u bazuar në një kombinim të të dhënave të marra në terren përmes regjistrimit individual dhe duke përdorur të dhëna nga baza e të dhënave statistikore të marra nga regjistrat ekzistues që kanë të bëjnë me përdorimin e numrit amë të identifikimit të qytetarit”, thonë nga Qeveria.

Nga VMRO-DPMNE-ja vazhdojnë me procedurat për grumbullim të nënshkrimeve për ta kontestuar Ligjin për Regjistrim. Shefi i partisë opozitare, Hristijan Mickoski, thotë se e ka shqyrtuar Metodologjinë dhe sipas tij nuk ka nevojë për operacion të dyfishtë të regjistrimit.

“Fillimisht thonë se ekzistojnë baza të të dhënave që i përmbajnë parametrat që nevojiten për ta përgjigjur pyetjen – se cila popullsi është rezidente dhe cila popullsi gjatë viteve të kaluara e ka ç’lajmëruar vendbanimin e saj në Maqedoni, kurse pastaj në pjesën e dytë po thonë – regjistruesit në terren do ta konstatojnë atë gjendje. Unë me të vërtetë mendoj se është e panevojshme të dyfishohen këto aktivitete”, deklaroi Mickoski.

Pas takimit me kryetarët e Organizatave Joqeveritare nga komuniteti boshnjak, i cili u organizua me iniciativë të deputetit Zekir Ramçilloviq, ata paralajmëruan fushatë me të cilën do të apelojnë për ngritje të vetëdijes së qytetarëve të këtij komuniteti etnik në lidhje me regjistrimin.

“Ajo që është e rëndësishme për boshnjakët dhe për bashkësitë e tjera më të vogla është se siguruam përfaqësim të drejtë të të gjitha komuniteteve në zonat e regjistrimit sipas përqindjes që ata e kanë në regjistrimin e fundit, dhe se siguruam që regjistrimi të zbatohet në gjuhën e tyre amë, gjegjësisht për boshnjakët në gjuhë boshnjake”, tha Ramqilloviq.

Mesazh se duhet tëmbahet regjistrim, dërgoi edhe shefi i Misionit të OSBE-së në vend, ambasadori Klemens Koja.

“Pas gati 20 vjetësh, është e rëndësishme që vendi të organizojë një regjistrim, pasi ai do t’u mundësojë institucioneve qeveritare të zhvillojnë dhe zbatojnë politika për të mirën e qytetarëve bazuar në të dhënat e azhurnuara. Sipas mendimit tim, ligji është përpiluar në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të institucioneve të ndryshme që kanë kompetencë në këtë fushë, siç janë Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën dhe “Eurostat-i”, vlerëson Koja.

Kryetari i Entit Shtetëror për Statistikë, Apostoll Simovski, thotë se është paraparë që regjistrimi të zbatohet në 7 gjuhë. Në terren në një shtëpi do të shkojë nga një, kurse në vendbanimet e përziera do të ketë edhe nga dy regjistrues. Simovski siguron se regjistrimi do të mbahet duke i respektuar masat dhe protokollet e miratuara për mbrojtje nga Covid-19.