Qeveri teknike me ose pa VMRO-DPMNE-në?

TË FUNDIT

Pas vendimit që Xhaferi të jetë kryeministri teknik, a ka gjasa që edhe Artan Grubin ta zëvendësojë dikush tjetër!? Kryeministri Kovaçevski për këtë nuk dha përgjigje konkrete, por shtoi se emërimet po bëhen sipas ligjit për qeveri. Kovaçevski foli edhe për paralajmërimet gjithnjë e më të zëshme se VMRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë në qeverinë teknike e udhëhequr nga Xhaferi i cili tha se ky është obligimi i tyre ligjor, në të kundërtën do ta njollojnë të gjithë procesin zgjedhor.

Me ligj është rregulluar se cilat pozita ndërrohen në Qeveri, sipas Ligjit për Qeverinë dhe sipas Ligjit për Zgjedhje, cilat pozita ndërrohen. Pra nuk mund të bëhet improvizim kur përcaktohen dispozitat ligjore, mendoj se nuk ka arsye në këtë rast që VMRO-DPMNE të mos e përmbushë obligimin e saj ligjor, sepse ai propozim rrjedh nga Ligji për Qeverinë dhe Ligji për Zgjedhjet”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Por, zgjedhja e Xhaferit shkaktoi reagime në opozitaren VMRO-DPMNE, nga ku thonë se LSDM i plotëson të gjitha kërkesat e BDI-së dhe se Xhaferi nuk mund të pritet të mbajë zgjedhje të drejta sepse siç thonë ata, ai nuk është i denjë për atë pozitë. Por nëse do të marrin pjesë në Qeverinë teknike nën udhëheqjen e Xhaferit, nga VMRO-DPMNE thonë se së shpejti organet e partisë do të vendosin nëse do t’i prezantojnë propozimet e tyre për qeverinë teknike.

“Talat Xhaferi është dezertor nga Armata  e Republikës së Maqedonisë, njësoj si paraardhësi i tij Kovaçevski, njeri që e ka shkelur betimin që ka dhënë. Ky është njeri që në periudhën e kaluar ka shkelur kushtetutën, ka shkelur Rregulloren, ka sharë shërbimet parlamentare dhe të gjitha këto ia ka mundësuar, përkatësisht të gjitha këto i mbuloi  Lidhja socialdemokratike. Sa i përket pyetjes suaj të dytë, a do të marrim pjesë në Qeverinë teknike, mbesim të mendimit se në periudhën e ardhshme organet e partisë do të takohen dhe do ta informojmë me kohë opinionin maqedonas”, pohoi Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.

Paraprakisht Izet Mexhiti kërkoi që edhe ata të jenë pjesë e qeverisë teknike, si pjesë e opozitës. Kovaçevski tha se ligji parasheh ministrat teknike të jenë nga partia më e madhe opozitare.

“Qeveria teknike është definuar në përputhje me ligjin dhe saktë dihet kush propozon ministra në qeverinë teknike. Që do të thotë se dihet se cilët janë ministrat e  shumicës parlamentare si dhe nga partia më e madhe opozitare cilat ministri propozohen që të udhëhiqen nga personat e propozuar. D.m.th. se nga VMRO-DPMNE-ja duhet të propozojnë ministër në Ministrinë për punë të brendshme, ministër në Ministrinë për punë dhe politikë sociale”, tha Dimimtar Kovaçevski, kryeministër.

Në gjithë këtë procedurë mbetet e paqartë çfarë do të ndodh nëse VMRO-DPMNE megjithatë vendos që të mos propozojë ministra, për shkak se Ligji për Qeveri nuk parasheh gjendje të tillë. Në atë rast a do të shkohet me ministrat aktual apo megjithatë kolltukët ministrorë do t’i jepen pjesës tjetër të opozitës. Sipas afatit, dorëheqja e Kovaçevskit dhe zgjedhja e Qeverisë Teknike duhet të ndodh deri më 28 janar.