I ftuar në TV21 në emisionin e veçantë për Zgjedhjet Parlamentare 2020, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, tregoi se pse i reagoi pas deklaratës së kreut të LSDM-së Zoran Zaev kur tha se është i gatshëm të shkëmbejë deputetë me rivalin politik Mickoskin, për të mos lejuar kushtëzime për arritjen e kryeministrit shqiptar.
“Më duket se ligjet e Njutonit akoma janë në fuqi, s’ka dalë ndonjë teori tjetër. Çdo aksion ka reaksion. Të gjitha ligjet pak a shumë këtë bazë e kanë. Unë i pyeta, me që ju zotoheni se do të bëni qeveri maqedonësh, a jeni të vetëdijshëm që me këtë po i përjashtoni nga sistemi shqiptarët. E dyta, ku ti e përjashton nga sistemi dikë, a ka të drejtë ai që ta bojkotojë sistemin, por normal se e ke përjashtuar. Me të gjitha format, mos të paguhet tatimi e të tjera. Dhe kur tjetri e bojkoton sistemin a ka të drejtë të bëjë sistem paralel, sepse s’do të ngelet turmë pa kokë, sepse ajo është akoma më keq se çfarëdo sistemi tjetër dhe duhet të detyrohesh që ta bësh sistemin paralel. Prandaj u thash vendosjani gishtin kokës, që në qoftë se ju bëni qeveri vetëm me maqedonas, edhe ne do të bëjmë qeveri me shqiptarë, se s’do t’i lëmë shqiptarët pa kokë, turmë dhe anarki totale që të hanë njëri-tjetrin”, u shpreh Sela në TV21.
Ai më tej shtoi se e di që Zaev e Mickoski nuk do të shkëmbenin deputetë e që bëjnë qeveri pa shqiptarë, por tha se këtë e kanë vetëm lojë të ulët politike, për të fituar vota me nacionalizëm. Sela tha se nuk e kundërshton idenë për kryeministër shqiptar./TV21
