Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski thotë se kjo Qeveri është e BDI-së, e mbështetur nga LSDM. Ai edhe njëherë përshëndeti, siç i quajti, sinjalet pozitive nga disa deputetë të pushtetit se kësaj qeverie duhet t’i vijë fundi. Mickoski kërkoi që Qeveria mos të bëj presion ndaj këtyre deputetëve, por t’i lë të veprojnë sipas vullnetit të tyre.
“Shpresoj që nuk do të përdoren sërish metodat e njohura të kësaj Qeverie të BDI-së të mbështetur nga LSDM, me presion ndaj atyre deputetëve dhe t’i lënë ata deputetë, ashtu siç japin tani sinjale pozitive kështu edhe në të ardhmen të vazhdojnë të funksionojnë në kornizë të kuvendit, deri në votimin e shpërbërjes së të njëjtit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Reaguan nga LSDM. Nga atje thonë se Mickoski edhe vitin 2023 e nisi me gënjeshtrën e njëjtë, se kinse paska siguruar vota për shpërbërjen e kuvendit.
“Mickoski është peng i Levicës dhe nën hijen e të dënuarit të arratisur Gruevski, i frikësuar për kolltukun e tij. Ashtu siç e mbylli 2022-shin, kështu pengu i Dimitar Apasiev-it dhe Levicës, Hristijan Mickoski, e nisi 2023-n, me gënjeshtra, kërcënime dhe shpresa të rreme se vetëm sa s’ka ardhur në pushtet. I frikësuar për kolltukun e tij në Pallatin e Bardhë, Mickoski, kushedi sa herë, hap temën e shumicës së re parlamentare dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, thonë nga LSDM.
E në bllokun shqiptar është edhe Lëvizja Besa e cila kërkon zgjedhje, ndërsa për ASH-në prioritet janë ndryshimet kushtetuese. Nga kjo e fundit thonë se nëse këto eventualisht dështojnë, atëherë zgjedhjet janë të patjetërsueshme.
Ndërkaq pushteti është decid, zgjedhjet parlamentare do të jenë të rregullta në vitin 2024.
