Qëndrimet e Oliver Varhejit nuk janë qëndrime të Bashkimit Evropian. Deklaratat e eurokomisionarit për zgjerim i cili tha se Maqedonia dhe Shqipëria do të ndahen në qoftë se nuk arrihet zgjidhje me Sofjen, ngjalli shumë reagime. Edhe pse ende nuk ka qëndrim zyrtar nga Ursulla fon der Llajen, megjithatë portalet “Politiko”, por edhe korrespodenti i “VorldStrit Zhurnal” nga Brukseli përcjellin qëndrimet e zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian, të cilët thonë se nuk do të ketë ndarje të Maqedonisë dhe Shqipërisë.
“Nuk përgatisim asnjë ndarje. Përkundrazi, Komisioni jep mbështetje që negociatat me të dyja vendet të hapen sa më shpejt që është e mundur”, thonë nga Komisioni Evropian për portalin “Politiko”.
Por, zëdhënësja e Komisionit Evropian për zgjerim, Ana Pisonero, pohon se deklarata e eurokomisionarit Oliver Varheji për ndarje të Shkupit dhe Tiranës është skenar i mundshëm.
“Pozita e Komisionit Evropian është shumë i qartë dhe nuk është ndryshuar. Duam të shohim konferenca ndërqeveritare me të dyja vendet, të dyja i plotësojnë kushtet për këtë. Patjetër, që të ndodhë një gjë e tillë, Këshilli duhet të japë pëlqim për kornizat negociuese, për momentin gjendemi aty”, u shpreh Ana Pisonero – zëdhënëse e KE-së për Zgjerim.
Një gjë të tillë paralajmëroi eurokomisionari për zgjerim kur i solli vaksinat në Shkup.
“Ky proces bazohet në merita dhe nëse shohim në arritjet e Shqipërisë, shoh se ata kanë plotësuar të gjitha kushtet. Kështu që nëse nuk ka asnjë marrëveshje në lidhje me Maqedoninë e Veriut, ndoshta do të vijë momenti kur ne do të duhet ta marrim parasysh këtë opsion”, deklaroi Oliver Varheji Komisionar për Zgjerim.
Kryeministri Zoran Zaev shpreson se do të arrijnë që ta rregullojnë pjesën me Bullgarinë, por megjithatë në mënyrë indirekte mendon se ndarja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të ishte gabim i madh.

