“Qebapë për punëtorin, biftek për pushtetin”, KSL bën zgarë dhe ironi për pagat e rritura të zyrtarëve

TË FUNDIT

Zgarë para Qeverisë. Kështu duket “pikniku” i 1 majit që e organizoi Konfederata e Sindikatave të Lira.

Protestuan në formë marshi nën moton “Qebapë për punëtorin, biftek për pushtetin”.

E kanë zgjedhur këtë slogan, sepse sipas kryetarit të Konfederatës, me kushtet ekonomike që i kanë, punëtorëve u mbetet të blejnë vetëm qebapë, e pushtetarët me pagat e tyre të rritura, për 1 maj të hanë biftek.

Sot jemi këtu me moton se nuk ka drejtësi. Sepse me pagat tona ngeli vetëm qebap për punëtorin e me pagat e tyre biftek në tavolinë për 1 maj. Duan të na kthejnë para një shekulli kur keqtrajtohej dhe nuk trajtohej punëtori”, tha Bllagoja Rallpovski, kryetar i KSL.

Nga Qeveria kërkuan respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe marrëveshjeve kolektive. Kërkojnë të dëgjohet zëri i punëtorit, paga të përshtatshme për një jetë të denjë dhe paqe sociale.

“JO për shkeljen e ligjeve dhe marrëveshjeve kolektive. PO për respektimin e të drejtave të punëtorëve. PO për dialog të sinqertë, konstruktiv dhe social aty ku marrin pjesë punëtorët, të respektohen në mënyrë të barabartë. Po për pagë të denjë, po për punë të denjë, po për jetë të denjë. Për këtë dhe jemi sot këtu sepse këtë nuk e kemi. Por nga nesër do ta kërkojmë gjithnjë e më fuqishëm”, theksoi Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK.

Se të drejtat e punëtorëve nuk respektohen as në polici, e pohon kryetari i sindikatës së policëve, Orce Koceski. Sipas tij, nëse më herët të rinjtë luftonin për të hyrë në polici, sot MPB i lutë të rinjtë që të aplikojnë.

“Nëse më herët luftohej për punësim në polici, sot MPB heqë të zinjtë e ullirit për punësim të punëtorëve të rinj. Si mos të jetë ashtu kur paga bazë e një polici është 250 euro ose 15,000 denarë. Turp, kur ju jeni me paga të rritura e ne me jetë në këste, gjithnjë e më tepër çdo ditë të punësuarit në MPB e braktisin MPB-në dhe kërkojnë shpëtim jashtë Republikës së Maqedonisë”, pohoi Orce Kocevski, kryetar i Sindikatës së Policëve në Maqedoni.

Në marshin protestues morën pjesë punëtorë dhe përfaqësues të sindikatave të ndryshme ndërsa kishte edhe organizim për transport nga qytetet e tjera.