Pyetjet e fundit të deputetëve për këtë vit/ Janushev: Pse është pritur për hetimin e automjetit me të cilin u kidnapua Vanja?

TË FUNDIT

Hetimi në lidhje me vrasjen e dyfishtë të 14 vjeçares Vanja dhe qytetarit të Velesit, Zhezhovski, ishte njëra nga temat për të cilën u parashtrua pyetje në Kuvend. Igor Janushev nga VMRO-DPMNE akuzoi se hetimi nuk është udhëhequr në mënyrë kredibile dhe i parashtroi pyetje ministrit të punëve të Brendshme Oliver Spasovskit se si nuk është zbuluar vetura e Zhezhovskit me të cilën është kidnapuar Vanja.

“E njëjta veturë është gjetur e djegur më 27.11. ndërsa publikimi përkatësisht kërkesa për gjurmimin e veturës është bërë në të njëjtën ditë, 27.11. në orën 19 e 09 minuta. Një ditë e tërë pas gjetjes së veturës së djegur, ja edhe kjo dëshmi. Pse Spasovski është pritur pothuajse 4 ditë që të fillojë gjurmimi pas veturës së Pançes. A ka ardhur deri te vrasja e dytë pikërisht për shkak të mosveprimit tuaj dhe të MPB-së”, tha Igor Janushev, VMRO-DPMNE.

Ministri Spasovski u përgjigj se hetimi u zbatua në mënyrë profesionale me çka brenda një jave u zbulua vrasja e Vanjës së vogël. Paraqitjen e Janushevit e vlerësoi si pamflet politik ndërsa atë e vlerësoi si njeri pa kredibilitet për shkak se i njëjti është dënuar me kusht në procedurë gjyqësore.

“Efikasiteti i MPB-së, për 6 ditë ta mbarojë këtë që ndodhi dhe të zbulohen kryerësit , është efikasitet që assesi nuk mund ta mohoni. Me asnjë pamflet politik. Kur flasim për kredibilitet,  e tregoni që nga momenti kur amnistoheni me Kodin penal. Deri atëherë ishit të qetë”, pohoi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

Deputetët e opozitës parashtruan pyetje edhe për blerjen e duhanit.  Petar Risteski nga VMRO-DPMNE, akuzoi se blerja po zhvillohet në mënyrë kaotike ndërsa prodhuesit e duhanit nuk u shprehën të kënaqur me çmimin e blerjes. Kryeministri Kovaçevski i hodhi poshtë akuzat e këtilla duke thënë se këtë vit subvencionet për bujqit janë më të larta se kurrë dhe se për 10% u rrit çmimi i duhanit gjatë blerjes.