Pyetja e referendumit, Mickoskit dhe Pendarovskit po u puqen mendimet

TË FUNDIT

Konsultimet që po i bën me ekspertët për pyetjen e referendumit, kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski thotë se përputhen shumë me propozimin e Presidentit Stevo Pendarovski.

 “Jemi shumë afër asaj përmbajte që ai e tha publikisht, unë pres që ashtu siç e tha në publik, nëse puqet përmbajtja, thelbi i pyetjes së referendumit, Pendarovski të dalë publikisht me qëndrim dhe të thotë se do të dalë, bashkë me bashkëpunëtorët në referendum, do ta mbështetë, do të votojë, kuptohet të votojë sipas bindjes së tij, nëse duhet të vazhdojmë me këto kushte të diktatit ose nëse duhet të vazhdojmë në kushte më ndryshe”, tha Hristijan Mickoski, kryetar VMRO-DPMNE-së.

Presidenti Pendrarovski në intervistë para dy ditësh, pa u futur në motivin e opozitës për referendum, tha se me sa po kupton, pyetja e referendumit nuk do të jetë për ndryshimet kushtetuese, pra për futjen e bullgarëve në Kushtetutë, por për marrëveshjen dypalëshe me Bullgarinë dhe pse e njëjta futet në proces të negociatave.

“Nëse dikush nuk e kupton se kjo marrëveshje dypalëshe, por edhe me Greqinë, është boshti përgjatë të cilit ne vazhdojmë drejt Evropës dhe dëshiron që ta largojë këtë bosht, më e ndershme është që  pyetja e referendumit të jetë: “A doni të shkoni në BE në këto kushte?”. Pa përmendjen e marrëveshjeve, pikave. Opozita duhet të dalë me një formulim të ndershëm dhe nëse kjo është çështja, të gjitha partitë të dalin në referendum, jo ​​të bojkotojnë”, deklaroi Stevo Pendarovski, president.

E kreu i partisë më të madhe opozitare, përveç se nga Presidenti, mbështetje pret edhe nga partitë politike për konsensus të mundshëm për pyetjen e referendumit.

 “Të dalim para anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, atij Qendror dhe në çdo kohë Qeverisë i qëndrojmë në dispozicion që në takim të flasim për pyetjen e referendumit. Nuk ka ikje nga kjo, nuk ka ikje…”, tha Hristijan Mickoski, kryetar VMRO-DPMNE-së.

VMROD-PMNE është për referendum obligativ.

 “Juridikisht, shoh se ka debat nga pushteti dhe instalimet e pushtetit në opozitë, qëllimi i i përbashkët i të cilëve është që referendumi të mos ketë sukses formalisht-juridikisht, të mos ketë 50% +1 nga numri i zgjedhësve që janë pjesë e listës zgjedhore. Kjo është e përbashkëta mes pushtetit LSDM-BDI dhe këto instalime të vogla të parëndësishme tek opozita dhe mes bllokut maqedonas”, theksoi Hristijan Mickoski, kryetar VMRO-DPMNE-së.

Nëse pushteti vendos që të mos e bojkotojë ose pengojë daljen në referendum, Mickoski është i bindur se referendumi do të jetë i suksesshëm. Nëse ndodh e kundërta, atëherë kreu i VMRO-DPMNE-së thotë se do të luftojnë që të vihet deri tek referendum i suksesshëm për nga aspekti formalo-juridik.

Përndryshe Kryeministri Dimitar Kovaçevski konsideron se çështja e referendumit që e ka hapur opozita për punën e propozimit francez është vetëm për përdorim të tyre brenda-partiak.