Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar të hënën dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.
Rreth vendimit për të njohur rajonet Donetsk dhe Luhansk është informuar lideri francez, Emmanuel Macron dhe ai gjerman, Olaf Scholz, është thënë në deklaratën e Kremlinit.
Putin e ka nisur fjalimin e tij para kombit duke diskutuar për historinë dhe duke thënë se Ukraina moderne është “krijuar” nga Rusia.
Ndërkohë që Putin ka pasur adresimin, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve kanë cituar trupat qeveritare të Ukrainës të kenë thënë se në vijën e parë të frontit në lindje të Ukrainës, janë rritur të shtënat me armë të rënda nga separatistët.
Putin ka bërë supozime gjatë fjalimit – pa ofruar të dhëna – se Ukraina po synon të ketë armë bërthamore, se gjuha ruse është margjinalizuar në Ukrainë dhe se ka plane të paspecifikuara për të eliminuar Kishën Ortodokse Ruse atje.
Ai ka thënë se Ukraina është “kukull e regjimit” të udhëhequr nga fuqitë e huaja dhe e mbushur me klane të oligarkëve.
Këtu janë disa deklarata nga Putini :
- “Le të fillojmë me faktin se Ukraina moderne u krijua tërësisht nga Rusia, më saktë nga Rusia bolshevike, komuniste. Ky proces filloi pothuajse menjëherë pas revolucionit të 1917,” tha Putin.
- “Më pas, në prag dhe pas Luftës së Dytë Botërore, Stalini tashmë aneksoi BRSS dhe transferoi në Ukrainë disa toka që më parë i përkisnin Polonisë, Rumanisë dhe Hungarisë,” tha Putin.
- “Dhe në vitin 1954, për disa arsye, Hrushovi mori Krimenë nga Rusia dhe ia dha Ukrainës. Në fakt, kështu u formua territori i Ukrainës Sovjetike,” tha Putin.
Putini botoi një ese tendencioze mbi historinë e Ukrainës dhe Rusisë verën e kaluar, në atë që u konsiderua gjerësisht si një pretekst për përshkallëzimin e presionit ndaj Ukrainës.
Liderët e Perëndimit kanë paralajmëruar për pasoja të rënda nëse Rusia njeh pavarësinë e rajoneve Luhansk dhe Donetsk, të cilat janë pjesërisht nën kontrollin e separatistëve.
Diplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se Bashkimi Evropian është i përgatitur për të vepruar ashpër nëse Putin ofron njohje të pavarësisë.
