Mariupoli është “çliruar” dhe atje nuk ka më luftime, tha sot presidenti rus Vladimir Putin në një bisedë me homologun e tij turk Rexhep Tajip Erdogan dhe u bëri thirrje luftëtarëve ukrainas Azov dhe marinsave që të dorëzohen dhe tha se jeta e tyre është e garantuar.
Fabrika e madhe e çelikut Azovstal është vendi i fundit i kontrolluar nga forcat ukrainase në Mariupol. Kiev duhet të “marrë përgjegjësinë” për trupat në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol,” i tha Putin Erdoganit, thuhet në kumtesën e Kremlinit.
Putin u bëri thirrje trupave ukrainase në Azovstal që të dorëzojnë armët.
“Të burgosurve të luftës u garantohet jeta, kujdesi mjekësor dhe trajtimi në përputhje me standardet ligjore ndërkombëtare”, thuhe në kumtesën e Kremlinit.
Ukraina dje kumtoi se Kombet e Bashkuara duhet të jenë “iniciatori dhe garantuesi” i çdo marrëveshjeje evakuimi që do të duhej të zbatohej në prani të Kryqit të Kuq.
Ndërtesat e kompleksit janë shkatërruar kryesisht, por luftëtarët ukrainas fshihen në një rrjet të madh tunelesh nëntokësore nga ku vazhdojnë t’i rezistojnë rusëve. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se rreth një mijë civilë dhe qindra të plagosur fshihen atje, në kushte katastrofale, pa ujë dhe ushqim.
Ukraina kumtoi se do t’i pezullojë bisedimet me Rusinë nëse vriten edhe luftëtarët e fundit të Azovstal. Erdogan foli gjithashtu me Zelenskin për evakuimin e së dielës.
“Presidenti Erdogan e ka shprehur gatishmërinë e tij për të ofruar të gjithë ndihmën e mundshme në procesin e negociatave dhe të gjithë mbështetjen e nevojshme, duke përfshirë ndërmjetësimin,” kumtoi Ankaraja zyrtare.
