Punonjësit shëndetësorë protestojnë për 30%shin/ Mexhiti: Do të bëj ç’mos të marrin pagat që meritojnë!

TË FUNDIT

Sindikata e pavarur e punonjësve shëndetësorë, para disa shtëpive të shëndetit e ambulancave të vendit, shprehën pakënaqësinë për pagat e tyre. Kërkojnë rritje për 30% për mjekët dhe personelin mjekësor, administratën dhe personelin teknik. Gjithashtu kërkohet rritja e shtesave për infeksion nga 1 në 4 për qind, rregullimi i statusit të punonjësve të përkohshëm dhe punësimi i tyre me afat të pacaktuar, rishikimi ose një marrëveshje e re kolektive dhe takim me ministrin e Shëndetësisë.

Bobi Bojçevski, koordinator i sindikatës së pavarur, thotë se me 24 nëntor do të protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë, e nëse nuk arrihet marrëveshje, tregoi se do të marshojnë drejt Qeverisë.

“Ne kërkojmë transformim, një numër i madh i të rinjve që punojnë në institucione shëndetësore në të gjithë RMV-në të cilët e kanë një lloj pune me kontratë, janë të punësuar por nuk janë të paraqitur. Me rrogë 20 mijë 700 denarë. Domethënë bëjmë apel urgjent deri te ministri dhe deri te Qeveria të zgjidhet statusi në ato punëtorë, sepse ato janë të rinj ku 8 orë e kryejnë punën me profesionalizëm, edhe kur ishte në rrezik në kohën e kovidit.”- deklaroi Bobi Bojçevski, Kordinator, Sindikata e Pavarur e Punonjësve Shëndetësorë

.

Përveç kësaj, infermierja Iljana Donova ankohet se nuk e kanë të paguar sigurimin shëndetësor as atë pensional, e po ashtu nuk kanë as të drejtë pushimi.

“Ne nuk kërkojmë të na shpërblejnë, kërkojmë të na e japin atë që na takon.

Me kontratë sa e keni rrogën?

20 mijë, por duhet ta paguajmë sigurimin shëndetësor, ajo është 1800 denarë, në praktikë ne marrim 18 mijë denarë. “-Iljana Donova, infermiere.

Kristina Olevska nga “8 Shtatori” theksoi se tek ky spital nuk ka presione nga dikush që të mos dalin të protestojnë, mirëpo pohon se në përgjithësi ka presione.

“Megjithatë dua t’i inkurajoj të gjithë punëtorët te mos e shohin asnjë presion, askush asnjë të keqe nuk mund të na bëjë, më keq se kjo nuk ka të bëhet. Edhe nëse e nxjerrin dikë nga puna do t’i japin mundësi të shkojë në ndonjë vend tjetër të marrë pagë më të madhe.”- deklaroi Kristina Olevska, “8 Shtatori”.

Se a do të mbajë takim me punonjësit shëndetësor, ministri i shëndetësisë Fatmir Mexhiti deklaroi se kanë takime të rregullta dhe do të mundohet që punonjësit shëndetësorë  të marrin pagat të cilat i meritojnë.

 “Mendoj se brenda 6 muajve ose 5 muajve saktësisht unë si ministër, kemi bërë rritjen 2 herë të pagave të punonjësve shëndetësorë, por nëse më pyesni mua si ministër por edhe si mjek, më shumë ndjehem si mjek, a është e mjaftueshme?! Nuk është e mjaftueshme por ne do të bëjmë ç’mos edhe në të ardhmen që bashkërisht me sindikatat dhe me përfaqësuesit e sindikatave që punonjësit shëndetësorë gjithmonë të marrin atë për punën që bëjnë.”- deklaroi Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.

Sindikata e pavarur tashmë kohë të gjatë e ngre zërin për pagat dhe kushtet e punës, por kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër.