Punonjësit e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë përsëri e aktivizuan grevën duke kërkuar rritje të pagave. Megjithëse një premtim i tillë iu dha në fillim të vitit, sindikata AOGJSH thotë se deri në këtë moment nuk është përmendur asgjë. Greva do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesës thotë Kryetari i kësaj Sindikate Tërpe Dejanovski.
“Në periudhën kur u aktivizua greva, ata punësuan një zyrë avokatie përmes së cilës bëhet komunikimi me punonjësit dhe e cila ka një detyrë të vetme, që është të frikësojë punonjësit dhe të gjejë një mënyrë për të ndaluar grevën. Gjithashtu disa nga akademikët, drejtues të njësive organizative në ASHAM, kur u paralajmërua për aktivizimin e grevës, menjëherë filluan t’i kërcënojnë punonjësit se do t’i largojnë nga puna, ndërsa drejtues të caktuar filluan t’u drejtohen punonjësve me sharje dhe ofendime, që nuk i takon titullit Akademik”, tha Trpe Dejanovski, kryetar i AOGJSH-së.
Blagoj Grujiq, kryetar i Sindikatës së ASHAM-it, tha se po kërkojnë rritje të pagave, të cilat siç tha, nuk janë rritur për një kohë të gjatë.
“Lidhur me deklaratat për të punësuarit, mund të them se në 15 e më shumë vitet e fundit çdo konkurs për çdo post në administratë është botuar në gazetat maqedonase dhe shqiptare. Fakti që nuk është regjistruar asnjë shqiptar, nuk është regjistruar asnjë maqedonas, madje as një palestinez sepse pagat janë shumë të ulëta, problem që duhet ta zgjidhë edhe Akademia edhe Kuvendi ynë themelues”, tha Blagoj Grujiq, kryetar i sindikatës, ASHAM.
Megjithatë siç njoftuan, punonjësit e ASHAM-it do të jenë në grevë gjatë gjithë orarit të punës, do të punojë vetëm arkivi për pranimin e postës, ndërsa punëtorët e tjerë nuk do të kryejnë asnjë detyrë pune.
