Këtë muaj do të nisin punimet për autostradën Shkup-Bllacë, tha zëvendësministrja e Transportit Kaltrina Zekolli në Click Plus. Bëhet fjalë për pjesën prej 10 kilometrave. Sipas Zekollit punimet nisin nga Shkupi për në Bllacë, andaj edhe 2 kilometrat, tashmë të përfunduara, nuk do të mund të lëshohen në përdorim, pasi shtrimi i asfaltimit përfundon në një hapësirë të lartë kodrine. Ajo uron që kushtet atmosferike të mos e prolongojnë nisjen e punimeve për në pranverë.
“Kanë aplikuar diku 11 kompani të vendit dhe ndërkombëtare, rrethi është zvogëluar në tre kompani që i plotësojnë kushtet më shumë. Ajo që më gëzon është se ofertat janë brenda buxhetit të paraparë.
Madje disa shifra janë shumë më të kapshme sesa i kemi paramenduar ne se do t’i shohim kur t’i hapim. Mund të them se për shumë pak, apo brenda muajit do të fillojnë punimet në këtë rrugë. Këtë e them dhe uroj që kushtet klimatike mos të na vështirësojnë për të ngecur ndoshta për në janar-shkurt apo në pranverën e hershme për të filluar me energji të re dhe ritëm të plotë”, tha Kaltrina Zekolli, Zëvendësministre e Transportit.
Për realizimin e kësaj autostrade janë paraparë 240 milionë euro, ose 24 milionë për çdo kilometër.
Në Click Plus u diskutua edhe për Korridorin 8. Në segmentin Tetovë-Gostivar, prej 3,566 parcelave private që përfshinë kjo trase, kanë mbetur edhe 560 për shpronësim. Zekolli thotë se më problematike për shpronësim është në segmentin Strugë-Qafë Thanë për shkak zonave të mbrojtura nga UNESCO.
“Po, kemi procedura të tilla kontestuese që e pengojnë realizimin e shpronësimit, por që një pjesë dërmuese janë pajtuar. Kontestimet zvarriten përmes procedurave gjyqësore, por realisht të gjitha pronat janë të shpronësuara, problematika e pronave qëndron tek pjesa e fundit ose segmenti Strugë-Qafë Thanë. Sipas projektimit një pjesë e mirë e trasesë së paraparë për tu shtruar Korridori 8, hasë në shumë zona të mbrojtura nga UNESCO”, theksoi Kaltrina Zekolli, Zëvendësministre e Transportit .
Në segmentin Gostivar-Bukojçan prej 30 kilometrave të parapara, 10 kilometra janë hapur për punime. Segmenti Bukojçan-Kërçovë pret shpalljen e kompanisë që e ka fituar tenderin, ndërsa punimet do të fillojnë tek në pranverë të 2026-ës. Nga Kërçova në Ohër në përdorim janë lëshuar 34 kilometra dhe në punim e sipër janë 23 të tjerat, të cilat pritet që deri në fund të 2026-ës të përfundojnë.
Planifikimet janë se i gjithë Korridori 8 të përfundojë në vitin 2029, me koston totale prej 1 miliard euro.
