Puna nga shtëpia po rrit papunësinë te të rinjtë, jo inteligjenca artificiale

TË FUNDIT

Një studim i ri nga Banka Federale e Rezervës në New York, ka treguar se puna nga distanca pas pandemisë është një nga faktorët kryesorë që po rrit papunësinë tek të diplomuarit e rinj, duke lënë në hije ndikimin e inteligjencës artificiale.

Sipas studimit të udhëhequr nga ekonomistja Natalia Emanuel, kompanitë po tregojnë më shumë hezitim për të punësuar të rinj pa përvojë në pozita që mund të kryhen nga distanca, pasi është më i vështirë trajnimi dhe mentorimi i tyre jashtë zyrës.

Analiza krahasoi profesionet që mund të kryhen në mënyrë “remote”, si zhvillimi i softuerit, me ato që kërkojnë prezencë fizike, si infermieria. Rezultatet treguan se papunësia te të diplomuarit e rinj në profesionet e punës nga distanca është rritur në periudhën 2022–2024 krahasuar me vitet 2017–2019, raportoi “AP News”.

Në të njëjtën kohë, për punëtorët më të vjetër në të njëjtat fusha, shkalla e papunësisë ka shënuar rënie të lehtë, duke krijuar hendek të dukshëm mes brezave.

Studimi thekson se punëdhënësit shpesh shmangin rekrutimin e të diplomuarve të rinj në ekipe të shpërndara, pasi procesi i trajnimit nga largësia është më pak efektiv. 

Sipas autorëve, kjo tendencë ka kontribuar në rreth dy të tretat e rritjes së papunësisë së të rinjve pas pandemisë.

“Puna nga distanca ka dobësuar nxitjen për të punësuar punëtorë të rinj, duke penguar trajnimin në vendin e punës. Punëdhënësit shpesh nuk duan të punësojnë të diplomuar të rinj në ekipe të shpërndara, pasi është më e vështirë t’u mësohen aftësitë e nevojshme nga distanca”, thuhet në studim. 

Raporti vjen në një kohë kur po rriten shqetësimet se inteligjenca artificiale mund të ndikojë në tregun e punës për profesionet si financa, ligji apo media. 

Megjithatë, studiuesit theksojnë se përkeqësimi i situatës së punësimit për të rinjtë ka filluar para përhapjes së mjeteve të AI-së si ChatGPT, dhe se ndikimi i tyre në papunësi rezulton i kufizuar.

Sipas të dhënave, shkalla e papunësisë për të diplomuarit nën moshën 29 vjeç është rritur në rreth 3.7%, ndërsa për grupmoshën 22–27 vjeç ka arritur në 5.8% vitin e kaluar, niveli më i lartë që nga viti 2012, përjashtuar periudhën e pandemisë.