Fang Bin, i cili dokumentoi përhapjen e parë të Covid-19 në qytetin kinez të Wuhan-it, është liruar nga burgu. Lajmin e bën të ditur BBC, duke cituar burime.
Fang i cili është një nga të ashtuquajturit gazetarë qytetarë që u zhdukën pasi shpërndanë video nga skenat në Wuhan, epiqendrën e pandemisë.
Pasi u zhduk në shkurt të vitit 2020, ai u dënua me tre vite burg pas një gjyqi sekret që u mbajt në Wuhan.
Sipas BBC, ai u lirua të dielën dhe gëzon shëndet të plotë. Një nga videot e tij tërhoqi vëmendjen e njerëzve në të gjithë botën pasi në të shfaqeshin tetë qese brenda së cilave ndodheshin trupa të pajetë, jashtë një spitali Covid-i. Pamjet zgjasnin pesë minuta.
Ai më pas tha se u ndalua nga autoritetet dhe më pas u lirua. Por një video tjetër u publikua me mesazhin: “Të gjithë njerëzit të revoltohen, fuqinë e qeverisë kthejeni tek njerëzit.”
