Qeveria në seancën e mbrëmshme nuk solli vendim për shpalljen e Angell Xhambaskit dhe katër personave të tjerë për persona non grata, e as sot autoritetet e vendit nuk kanë qëndrim nëse do t’i ndalohet hyrja në vend eurodeputetit bullgar i cili vazhdimisht provokon me deklaratat se Maqedonia është bullgare. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, nuk u përgjigj se pse ende nuk është sjellë vendim, por kompetencat për këtë çështje ia hodhi ministrit për punë të brendshme, Oliver Spasovskit.
“Ato aktivitete janë vetëm nën kompetencë të MPB-së dhe zbatohen në bazë të Ligjit për qytetarë të huaj. Nëse ai person, pa marrë parasysh se a është politikan apo merret me ndonjë veprimtari tjetër, dëshiron të hyjë në vend, nëse në bazë të këtyre bazamenteve identifikohet nga MPB-ja, atëherë zbatohet procedura dhe nuk mund të hyjë në vend”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Edhe Spasovski nuk u përgjigj nëse më 4 shkurt, në shënimin e 151 vjetorit të lindjes së heroit maqedonas, Goce Dellçev, do t’i ndalohet Xhambaskit hyrja në vend, i cili tashmë ka paralajmëruar se do të vijë në shënimin e kësaj dite.
“Do të vendosim më 4 shkurt”, tha Oliver Spasovski, ministër për Punë të Brendshme.
Megjithatë Spasovski për më 4 shkurt paralajmëroi se niveli i sigurisë do të ngritët në nivelin më të lartë.
“Punojmë së bashku me Agjencinë për Siguri Kombëtare, domethënë me shërbimet e sigurisë në drejtim të shkëmbimit të të dhënave dhe informacioneve, dhe në bazë të këtyre të dhënave dhe informacioneve, Ministria e Punëve të Brendshme do të sjellë vendime në çdo aspekt, të cilat parimisht do të nënkuptojnë mbrojtje të paqes dhe sigurisë, dhe së dyti që është gjëja më e rëndësishme – mbrojtje të interesit tonë kombëtar”, pohoi Oliver Spasovski, ministër për Punë të Brendshme.
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se për incidentin me Pendikovin, autoritetet bullgare tashmë kanë dërguar letra deri te të gjitha organizatat ndërkombëtare, me shpjegim se në Maqedoni ka diskriminim të rëndë.
“Po, tashmë e bëjnë këtë, kanë dërguar letra, mund të them deri te të gjitha organizatat ndërkombëtare me shpjegim se këtu po zhvillohet një politikë e rëndë e diskriminimit shtetëror ndaj Bullgarisë. Detyra jonë nuk është vetëm ta bindim Bullgarinë që ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj nesh, detyra jonë është të bëjmë që Bullgarinë të mos arrijë ta bindë Bashkimin Europian në lidhje me pikëpamjet e saj”, tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.
Kërkesën që Xhambaski të shpallet person i padëshiruar e dha Presidenti, Stevo Pendarovski në seancën e Këshillit të Sigurisë. Nga ana tjetër, Xhambaski, duke iu përgjigjur Pendarovskit përmes rrjeteve sociale, tha se më 4 shkurt do të vijë për ta nderuar Goce Dellçevin.
