Pse në të vërtetë Besa doli nga Qeveria? Nuk ishte vetëm Zhelina, pengesa më e madhe ishte BDI

TË FUNDIT

Pas paralajmërimit të Zaevit për dorëheqje, “tronditja” tjetër brenda koalicionit qeveritar ishte Lëvizja Besa, e cila e revoltuar për shkak Zhelinës, vendosi ta braktisë Qeverinë.
Por në fakt nuk ishte arsyeja vetëm Zhelina. Si duket Besa gjatë qeverisjes gjithnjë ka pasur një pengesë, e ajo ka qenë BDI.
Valon Bela në Click Plus deklaroi se BDI nuk ka lejuar që BESA të udhëheq me disa dikastere për të cilat është marrë vesh me LSDM-në.

“Unë kam informacione se Lëvizjes Besa akoma nuk ja kanë dhanë të gjitha pozicionet për të cilët janë marr vesh. Edhe PDSH. Për shkak të BDI-së në përgjigjet ndaj Lëvizjes Besa nga ana e kryeministrit ta them në mënyrë origjinale “DUI ne dava”, nuk po lejon BDI”, tha Bela.

E pyetem sot sekretarin gjeneral të Lëvizjes Besa se a ka qenë mos ndarja e drejt e resurseve qeveritare njëra nga arsyet e Besës për të dalë nga Qeveria, ai u përgjigj:

“Gjithçka që kemi deklaruar unë dhe kryetari i partisë në gjitha paraqitjet publike janë arsyet që kanë sjelle në këtë situatë”, tha Hoxha.

Por çka në fakt kishte deklaruar Hoxha?

“Nuk është në çështje fitorja e Zhelinës sa është në çështje mos respektimi i partnerit të koalicionit”, shtoi Hoxha.

Por a mendon LSDM se ka përgjegjësi për largimin e Besës nga Qeveria. Ljupço Nikollovski në emisionin 21Analiza tha se nuk mund të mbajnë përgjegjësi nëse dikush u përcaktua kundër politikave që janë pro NATO dhe BE.

G: Në Qeveri keni qenë koordinator i koalicionit. A keni përgjegjësi me atë që ndodhi me Besën?
“Ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi nëse dikush u përcaktua kundër kësaj agjende, kundër marrëdhënieve demokratike, kundër politikave që të çojnë përpara dhe që janë pro NATO dhe BE”

Pyetëm edhe Besën dhe BDI-në se për cilat institucione nuk kanë arritur marrëveshje, por nuk morëm përgjigje konkrete.
Tani Lëvizja BESA bashkë me partitë opozitare VMRO-DPMNE dhe ASH po kërkojnë rrëzimin e Qeverisë Zaev, derisa Alternativa po mendohet se nga do të orientohet.
Gjithashtu një ministër dhe dy zëvendësministra të Besës kanë dhënë dorëheqje.