Çka pasqyruan fletëvotimet e pavlefshme nga rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale? Mbi 32 mijë fletëvotime ose rreth 4% prej tyre u anuluan për shkak se janë shkarravitur një apo më shumë kandidatë, ndërsa disa prej votuesve kanë shkruar edhe mesazhe të ndryshme nëpër fletëvotimet. Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Oliver Derkoski tha se prej asaj që e ka parë, ka konstatuar se nuk bëhet fjalë për anulim të qëllimshëm të fletëvotimeve.
“Nuk kishte shembuj që do të tregonin se ka pasur ndonjë qëllim në anulimin e fletëvotimeve. Kishte fletëvotime që janë anuluar në mënyra të ndryshme – dikush ka shkarravitur njërin prej kandidatëve, dikush ka shkruar diçka mbi fletëvotimin, por në fakt nuk bëhet fjalë se dikush ka bërë diçka me qëllim”, tha kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Oliver Derkovski.
Në komunat me shumicë shqiptare nuk ka rritje të dukshme, kur bëhet fjalë për fletëvotime të pavlefshme. Në Haraçinë nga 2 mijë e 360 votues ka pasur 44 të pavlefshme, në Bogovinë nga 5 mijë e 160 votues – 83 fletëvotime të pavlefshme. Në Vrapçishtë prej rreth 5 mijë votues, janë shpallur të pavlefshme 98 fletëvotime, në Gostivar nga mbi 20 mijë votues, të pavlefshme kanë dalë 545 fletëvotime. Në Dibër prej rreth 8 mijë, 344 kanë qenë të pavlefshme, Zhelina prej mbi 4 mijë vota ka pasur 40 të pavlefshme, pastaj Likova me rreth 4 mijë e 700 fletëvotime – 122 të pavlefshme, Saraji me 7 mijë e 300 – 149, Studeniçani me mbi 3 mijë votues, ka pasur 54 fletëvotime të pavlefshme, Tearca me 6 mijë votues – 133 të pavlefshme, Tetova me rreth 25 mijë ka 675 fletëvotime të pavlefshme, kurse siç duket më shumë fletëvotime të pavlefshme ka pasur në Çair, respektivisht me rreth 17 mijë e 700 fletëvotime, të pavlefshme kanë dalë 731 dhe në Strugë e cila ka pasur mbi 19 mijë votues dhe 618 fletëvotime të pavlefshme.
Përgatiti: Svetllana Unkovska
