Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës njoftoi sot se Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Dr. Frank-Walter Steinmeier, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës nesër, e martë, 28 prill 2015.
Me këtë rast, ministri Dr. Steinmeier do të zhvillojë takime me krerët shtetërorë të Kosovës me të cilët do të diskutojnë tema të ndryshme me interes bilateral.
Ministri i jashtëm gjerman Dr. Steinmeier do të takohet fillimisht me kryetaren e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, e më pas edhe me kryeministrin z. Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrin e parë dhe njëherësh ministrin e Jashtëm, z. Hashim Thaçi.
Nuk mbahet mend që kur një zyrtar i nivelit të lartë në rang kryeministri apo ministri të jashtëm gjerman nuk shkel në Tiranë.
Në kohën e qeverisë Berisha, duhej ndonjë samit i NATO-s, që Shqipëria të kishte ndonjë kontakt të rastësishëm me kancelaren Merkel, ndërsa qeveria Rama është mjaftuar me vizitat e kryeministrit tonë në Berlin.
Kur do ta thyejë akullin për të ardhur në Tiranë një funksionar i lartë i ekzekutivit gjerman dhe a ka ndonjë arsye thelbësore përse kjo nuk ndodh?
Këtë më mirë mbase e dinë vetëm qeveritë e dy vendeve.
