PS tërhiqet – në ligj do të përfshihen vetëm gjinia mashkull dhe femër

TË FUNDIT

Mazhoranca ka bërë një hap pas në lidhje me projektligjin për barazinë gjinore, duke tërhequr termin “gjithëpërfshirëse” që linte hapësirë për identitete të tjera gjinore përveç burrit dhe gruas.

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste Taulant Balla ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, 22 amendamente, duke propozuar që në ligj të njihen vetëm dy gjini – burrë dhe grua.

Ndryshimet prekin gati çdo nen të projektligjit duke hequr terma si “identitet gjinor”, “shprehje gjinore” dhe “diversitet gjinor”, që më herët ishin përfshirë në draftin fillestar të propozuar për konsultim publik të propozuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Në nenin e parë, fjalia “pavarësisht përkatësisë gjinore” zëvendësohet me formulimin e ri “trajtim të barabartë mes grave dhe burrave”, ndërsa në nenin 4 hiqet çdo referencë ndaj diversitetit gjinor. Po ashtu, në nenin që lidhet me gjuhën e ndjeshme gjinore, largohet termi “gjithëpërfshirëse”.

Sipas mazhorancës, ndryshimet synojnë ta  bëjnë ligjin më të qartë dhe të zbatueshëm, duke e rikthyer tek koncepti tradicional i ndarjes së gjinisë, duke i mbyllur rrugën çdo keqinterpretimi në publik.

Projektligji i mëparshëm kishte ngjallur reagime të forta nga shoqëria civile, dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare, të cilët e konsideronin draftin si një kërcënim për familjen tradicionale dhe si një hap drejt normalizimit të ideologjive gjinore të huaja për shoqërinë tonë.

Propozimet e qeverisë do të rikthehen edhe njëherë për diskutim në komisionet parlamentare, ndërsa më pas pritet votimi përfundimtarë në Parlament.