Disa banorë të Shuto Orizares kanë bllokuar rrugën “Slloveneçka”, të revoltuar për shkak rrugëve të shkatërruara, të cilat sipas tyre nuk janë riparuar me vite.
Ata para kamerës së Tv21 thonë se asnjëri nga kryetarët e deri-tanishëm nuk ka shprehur interes për t’i asfaltuar.
“Jemi tubuar këtu sepse rrugët ku jetojmë ne janë në gjendje katastrofale. Nëpër ta nuk mund të lëvizin më të moshuarit, fëmijët. Nënat tona nuk mund të dalin me fëmijë sepse mund të binë dhe mund të thyejnë ndonjë krah ose këmbë. Për këtë nuk interesohet askush më shumë se 10 vite. Me vet iniciativë kemi instaluar kanalizimin fekal, me vet iniciativë e kemi shtruar rrugën e cila tashmë është prishur. I lusim autoritetet që të vijnë të na e rregullojnë, sot jemi kaq sa jemi nga nesër do të jemi edhe më tepër”, tha një banor.
“Prej vitit 74 jetojmë aty, kontributin e kemi dhënë vet, për ujë, kanalizim dhe për gjithçka. Askush asgjë nuk na ka ndihmuar. Kemi folur me Hamdi Bajramin kur ishte kryetar, pastaj me djalin e tij, Enisin tani me këtë, ne nuk ekzistojmë. I kemi të gjithë dhe na thonë se nuk ekzistojmë. Këto fëmijë, kanë lindur dhe janë rritur aty”, tha një banor tjetër.
“Rrugët janë katastrofë. Që 10 vite askush. Kryetari i Komunës mendon që banorët nuk do të protestojnë. Protesta do të ketë masive për ç’do ditë. Kryetari i Shutkës mos ë mendoje se nuk do të dalim. Ka thënë që këta tre rrugë nuk ekzistojnë. Me votat e kujt shkon ai”, shtoi një tjetër banor.
“Paratë janë marrë, faktikisht janë vjedhur, në planin urbanistik shkruan që punët janë kryer. Fajtor në këtë rast është Qeveria, konkretisht shteti, ata duhet të dënohen. E jo për shkak të një vjedhësi të heqin tre rrugë, të mos asfaltohen dhe dikush vetëm të shoh nga dritaret d.m.th fajtor I vetëm këtu është shteti”, theksoi një tjetër banor.
Për të marrë përgjigje nga autoritetet komunale Tv21 u drejtua te komuna e Shuto-Orizares, por aty nuk ishte askush.
“Edhe pse ligjërisht, administratat komunale duhet të punojnë deri në orën 16:00. Gjysmë ore para se ora të bëhet 16:00 Tv21 vizitoi komunën e Shutkës, për të pyetur administratën për hallet e qytetarëve, por ata nuk janë këtu”, Mevludin Imeri, gazetar.
Banorët e revoltuar thanë se protesta e tyre dhe bllokimi do të vazhdojë edhe gjatë dy ditëve të ardhshme, konkretisht të shtunën dhe të dielën nga ora 14:00.
