Protestohet për vrasjen në Ferizaj, kërkohet dënim maksimal për Dardan Krivaqën

TË FUNDIT

Qytetarë të shumtë të mbledhur sot para stacionit policor në Ferizaj kanë protestuar në shenjë revolte ndaj vrasjes së 18 vjeçares në këtë qytet. Protesta u organizua nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, ndërsa protestës i janë bashkuar edhe qytetarë të shumtë.

Me parulla të shumta dhe thirrje për drejtësi protestuesit kanë kërkuar dënim maksimal për vrasësit e 18 vjeçares, ndërsa në shenjë revolte kanë hedhur ngjyrë të kuqe në drejtim të Policisë. “Poshtë institucionet patriarkale”, “Jeta e grave hajgare për shtetin”, “Dënim maksimal për Dardan Krivaqën”, “Dënim maksimal për Arbër Sejdiun”, “Duam drejtësi për Marigonën”, ishin vetem disa nga thirrjet e protestuesve.

Organizatorët e protestës theksuan se nuk ka siguri për gratë dhe ato po rrihen, dhunohen në shtëpi e rrugë. Organizatorët kërkuan nga institucionet që urgjentisht të trajtohet fenomeni i femicitit, dënim maksimal për vrasësit, siguri për vajzat dhe gratë në të gjitha hapësirat. Po ashtu u kërkua nga Policia e Kosovës që vajzat dhe gratë të trajtohen me dinjitet kur raportojnë rastet e dhunës./TV21