Para godinës së Qeverisë u mblodhën për të protestuar kundër dënimeve me burg që u janë shqiptuar pjesëmarrësve në hyrjen e dhunshme në Kuvend më 27 prill, para 4 viteve. Mbanin bluza dhe transparente me të cilat kërkonin lirimin e të burgosurve dhe dorëheqje të Qeverisë.
“Që të mbështetim njerëzit që janë në burg. Absolutisht e padrejtë. Këta që janë tani në pushtet duhet të jenë brenda, e jo ata.
Qeveria të bie, të gjendet njeri që do e udhëheq shtetin. Përndryshe, ashtu siç shkonte dhe si po shkon, nuk do të arrijmë larg.
Pushteti urgjentisht të largohet, ky është mesazhi im”, tha një protestues.
Pohojnë se pas këtyre protestave nuk qëndron asnjë parti politike dhe se vetë janë organizuar. Por, në protestë mori pjesë edhe lideri Hristijan Mickoski, si dhe një pjesë e deputetëve të VMRO-DPMNE të cilët marshuan së bashku në protestë, për çka u lëvdua në rrjetet sociale.
“Protesta është shprehje e gjendjes së përgjithshme në shoqëri. Populli është i pakënaqur, populli sot ka dalë në mbështetje të njerëzve që mbrojtën Kushtetutën. Një ditë person i dënuar padrejtësisht, është si një përjetësi e tërë. Për shkak se kemi praktikë për hapjen e rasteve përsëri, nuk shoh arsye pse edhe ky rast të mos hapet dhe njerëzit nga liria të kenë shans të dytë që të mbrohen dhe të dëshmojnë pafajësinë e tyre”, u shpreh Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Atje ishin edhe partnerët e koalicionit të tyre.
“Porosia ishte – Mjaft më. Dukshëm ata njerëz që janë nëpër burgje kishin të drejtë, ndërsa këto që po e udhëheqin shtetin tani gënjyen. A duhej të hyjnë në Kuvend- Po. A kishin të drejtë – Po. A duhej të sulmojnë fizikisht – Jo. Këtë e dënoj dhe për këtë ata ishin në burg dhe mendoj se është e mjaftueshme”, potencoi Stevço Jakimovski – GROM.
Nga para Qeverisë, duke marshuar nëpër rrugët e qendrës, protestuesit këndonin këngë patriotike, bërtisnin: Asnjëherë e Veriut, vetëm Maqedoni, Dorëheqje – Dorëheqje dhe valvitën flamurin e Vergjinës. U mblodhën para Kuvendit, pas çka këngëtari i operës Igor Durllovski dhe këngëtarja Andrijana Janevska e kënduan himnin. Më pas u lexua edhe Deklarata me kërkesa për lirimin e të gjithë të dënuarve, shpërbërje e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale.
“Kërkojmë lirim pa kushte të mbrojtësve të Kushtetutës nga ngjarjet në Kuvendin e Maqedonisë që ndodhën më 27 prill të vitit 2017. Jemi të brengosur për krimin dhe korrupsionin e Qeverisë së marionetave të Zoran Zaevit, janë cenuar të drejtat e njerëzve dhe është shkelur drejtësia në Maqedoni”, tha Arna Shijak.
Të akuzuarit për sulmin në Kuvend, u dënuan me gjithsej 188 vite burg. Të gjithë u dënuan për sulmin e përgjakshëm të deputetëve por edhe gazetarëve dhe cenimin e jetës së tyre. Atëherë Ambasada britanike dhe amerikane në vend vlerësuan se ngjarjet në Kuvend ishin të dhunshme dhe nevojitet hetim i detajuar me procese gjyqësore.
