Një protestë me moton “Shqiptaria është me Shkupin” pritet të mbahet sot në Tiranë, në shenjë mbështetjeje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët më 18 maj protestuan për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, përcjell TV21. Sipas organizatorëve, protesta do të nisë në orën 17:00 nga Sheshi “Skënderbej” dhe më pas do të vazhdojë me marshim drejt Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Ata kanë bërë thirrje që qytetarët t’i bashkohen sa më masivisht protestës. Kujtojmë se studentët shqiptarë protestuan në Shkup duke marshuar nga Ura e Gurit deri te Ministria e Drejtësisë, me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe, krahas maqedonishtes. Përmes pankartave dhe thirrjeve, protestuesit kërkuan zbatimin e Ligjit për Gjuhët dhe respektimin e të drejtave të studentëve shqiptarë. Gjatë protestës pati ndërhyrje nga policia, ndërsa u arrestuan tre persona.
Ndërkaq, bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti thotë se tashmë kanë gjetur zgjidhje për këtë çështje.
“Unë mendoj se nuk ka nevojë për protestë. ne i mbështesim studentët dhe për këtë jemi ulur dhe kemi kërkuar zgjidhje, por jo vetëm për jurisprudencës, por në përgjithësi për provimet profesionale që nuk janë zgjidhur 30 vite, 25 vite. Kemi bërë zgjidhje që e kemi provuar bashkë me partnerët e qeverisë, këtë e ka thënë edhe kryeministri. Kështu që studentët i përgëzoj për organizimin, për protestat që i kanë bërë, për mendimin ndryshe, për që i kanë nxitur këto procese, por më dua të potencoj se studentët nuk kanë nevojë të protestojnë, por të festojnë fitoren e përbashkët që e kemi me ta”, tha Mexhiti.
