Qytetarë të Strumicës u ngritën në protestë kundër, siç thonë ata, hapjes së minierës së vdekjes Ilovica – Shtukë. Me sirena, bilbila dhe pankarta ku shkruhej “Stop, mjaft me manipulime”, “Uji dhe toka kushtojnë më shumë se ari”, “Përfituesit”, aktivistët dhe qytetarët i thanë “jo” vendimit të qeverisë, për ta bashkuar koncesionin për minierën Ilovica-Stukë. Ata kërkojnë që institucionet menjëherë të parandalojnë hapjen e minierës për shfrytëzimin e lëndëve të para minerale, xeheve të bakrit dhe arit në vendin e Illovicës.
“Nga vendimi i fundit i Gjykatës Administrative e dimë se kërkesa e Euromax Resources, që gjykata të urdhërojë Qeverinë për bashkimin e koncesioneve është refuzuar. Tani lind pyetja, kush gënjen, manipulon dhe pse?”, tha aktivistja Olivera Arizanova.
“Këtë luftë do ta bëjmë në çdo nivel të mundshëm, duke filluar nga këshillat komual dhe duke përfunduar në instancat më të larta shtetërore. Të gjithë armiqve të jashtëm dhe të brendshëm të luginës së Strumicës po u themi se do të luftojmë deri në fund dhe do ta ruajmë natyrën tonë për brezat e ardhshëm”, sqaroi aktivisti Stojan Velkov.
Me komunikatë dolën nga Euromax Resources nga ku thonë se me protestë po u bëhet presion institucioneve për, siç thonë ata, investimin më të madh, dhe kërcënojnë me padi nëse anulohet vendimi.
“Dëmi i mundshëm nga një qasje e tillë e papërgjegjshme do të ishte një arbitrazh ndërkombëtar me të paktën 1 miliard euro të paguara nga buxheti shtetëror i Maqedonisë, pra nga xhepat e qytetarëve. Është një spekulim absolutisht keqdashës se vendimi aktual i Gjykatave Administrative, sipas të cilit Qeveria ka vepruar, është vendimi i parë gjyqësor në favor të Euromax Resources”, thonë nga Euromax Resources.
Në këtë protestë morën pjesë disa ministra të Qeverisë, ndër të cilët ministrja e Ekologjisë Kaja Shukova dhe ajo e Punës dhe politikës sociale Jovanka Trençevska. Trençevska pas protestës tha se do të rishqyrtohet vendimi i Qeverisë për dhënien me koncesion të minierës Ilovica – Shtukë.
“Qëndrimi i LSDM-së për hapjen e minierës në Ilovicë është i njëjtë me qëndrimin e qytetarëve të rajonit të Strumicës. Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja dhe institucionet kompetente nuk do të lejojnë hapjen e minierës në Ilovicë pa konsultim dhe miratimin e qytetarëve. Qeveria në koordinim me kryeministrin dhe ministrat do të rishqyrtojë vendimin për bashkimin e dy koncesioneve dhe do të kërkojë informacion shtesë nga ministria kompetente”, tha Jovana Trençevska, ministre e Punës Sociale.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, thotë se ky është një tjetër biznes i BDI-së, ndërsa sipas tij prania e disa ministrave të LSDM-së në protestë është hipokrizi.
“Kjo nuk është gjë tjetër veçse një biznes i zakonshëm qeveritar i BDI-së, mbi të gjitha, pjesë e këtij projekti është edhe Qeveria e LSDM-së, dhe imagjinoni se çfarë hipokrizie, çfarë standardesh të dyfishta. Qeveria merr vendimin për shkrirjen koncesioneve, dhe ministri i të njëjtës qeveri, thotë se do të jetë bashkë me ata që protestojnë. Pra, nëse ai nuk i pajtohet me atë vendim, mund të japë dorëheqjen në të njëjtën ditë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Jozyrtarisht, thuhet se disa nga ministrat po reagojnë se gjatë seancës së qeverisë, ata si dhe kryeministri Kovaçevski janë mashtruar nga ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Për këtë kemi pyetur ministrin Bekteshi, por ai nuk është përgjigjur në pyetjen e TV21.
