Ndryshimet në arsimin e lartë, mënyra e regjistrimit në universitete, por edhe vendosja e policisë universitare, të përfshira në projektligjin e Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Mbrojtjes Civile të Greqisë, janë shkaqet që studentët sot të dalin në protesta në qendër të Athinës, por edhe në qytete të tjera greke, përkundër ndalesës së policisë për tubime të më shumë se 100 njerëzve, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Protesta mbështetet nga federatat dhe organizatat e arsimtarëve, profesorëve të universiteteve, përfaqësuesve të sindikatës, por edhe nga të rinjtë e opozitës SYRIZA.
Nga e marta në mëngjes në Greqi është në fuqi ndalimi i tubimeve publike të mbi 100 personave, ndërsa pardje burime të policisë shpjeguan për mediat greke se vendimi konkret nuk është i ndërlidhur me asnjë protestë të caktuar, gjegjësisht me protestën e sotme, por edhe që vendimi nuk ka të bëjë me praninë e qytetarëve në zonat që kanë të bëjnë me tregtinë, respektivisht dyqanet, etj.
Pikërisht ky qëndrim u përdor për të bërë një poster për protestën që ndahet në rrjetet sociale dhe në vend të protestës, të bëjnë thirrje për “shoping”, ndërsa vendi i tubimit është vendi ku do të mblidhen studentët.
