Protestat për Zvërnecin, thirret protestë mbarëkombëtare më 10 qershor

TË FUNDIT

Vazhdojnë protestat në Shqipëri kundër projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit. Mbrëmë, për të tetën ditë radhazi, qytetarë u mblodhën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, duke kundërshtuar një projekt të madh zhvillimi bregdetar të lidhur me Xhared Kushner, dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump.

Protestuesit shprehen se projekti rrezikon lagunën e mbrojtur Zvernec-Nartë, zonë me biodiversitet të lartë dhe rëndësi të veçantë mjedisore. Gjatë tubimit, ata shtuan edhe kërkesa të tjera që lidhen me shëndetësinë, arsimin, bujqësinë, pensionet dhe minatorët. Në përfundim të protestës u bë thirrje për një protestë mbarëkombëtare më 10 qershor.

Ndërkohë, opozita PD njoftoi se do t’u bashkohet protestave, duke ftuar strukturat e saj në Tiranë të marrin pjesë të organizuar. Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj protestave, duke kundërshtuar sloganet e përdorura dhe duke mbrojtur politikat qeveritare për mjedisin dhe biodiversitetin. Ai kritikoi edhe thirrjen “Shqipëria e shqiptarëve”, duke e cilësuar të gabuar dhe përjashtuese, gjatë një aktiviteti në Elbasan për 35-vjetorin e Partisë Socialiste./tv21.tv