Me thirrjet “Jashtë mafia”, “Vetëm votim elektronik” dhe “Nuk do t’i lejojmë të na mashtrojnë” – mijëra qytetarë bullgarë sfiduan mbrëmë të ftohtin duke protestuar me kërkesën për zgjedhje të ndershme, gjersa vendi po shkon drejt zgjedhjeve të teta në pesë vitet e fundit.
Protestuesit këmbëngulin për zgjedhje të ndershme, ndërsa shprehen se refuzimi i qeverisë në largim për të futur votimin elektronik për zgjedhje të mundshme të parakohshme është një tjetër përpjekje për të ndikuar në rezultat.
“Mënyra më e thjeshtë për të siguruar zgjedhje të ndershme është përmes votimit elektronik. Pa të, procesi do të kërkonte të paktën 12 mijë vëzhgues, komisione zgjedhore në vendvotime shumë më të besueshme dhe një numër shumë më të madh njerëzish për të parandaluar blerjen, manipulimin ose vjedhjen e votave”, tha Jordan Kostadinov, protestues.
“Është e rëndësishme t’i jepet një shans votimit elektronik, pasi ai është i paanshëm dhe më pak i ndjeshëm ndaj manipulimeve. Ai gjithashtu zvogëlon gabimet brenda komisioneve zgjedhore të vendvotimeve. Me praninë e vëzhguesve dhe me angazhim më të madh qytetar, mund të frenohen edhe abuzimet jashtë qendrave të votimit – si ato që janë raportuar së fundmi në qytetin e Pazarxhikut”, theksoi Maria Stanimirova-Hazday, protestuese.
Në qendër të pakënaqësive të protestuesve është roli i politikanit dhe oligarkut bullgar Deljan Peevski, i cili është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, dhe partia e tij “MRF Fillimi i Ri”, e cila ka mbështetur vazhdimisht koalicionin në largim të udhëhequr nga partia GERB e ish-kryeministrit Bojko Borisov.
Presidenti Rumen Radev u ka dha dy grupeve më të mëdha parlamentare mundësinë për të formuar një qeveri të re, por të dyja dështuan. Tani, presidenti do të zgjedhë një kandidat dhe, nëse edhe kjo përpjekje nuk ka sukses, ai do të emërojë një qeveri teknike deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Këto protesta në Sofje vijnë pas demonstratave të muajit të kaluar, të cilat u nxitën nga përpjekjet e koalicionit qeverisës për të miratuar një buxhet që bullgarët – tashmë të përballur me rritjen e çmimeve – kishin frikë se do t’ua përkeqësonte edhe më shumë gjendjen ekonomike. Qeveria më pas e tërhoqi planin e kontestuar të buxhetit për vitin 2026, por kërkesat e protestuesve u zgjeruan, duke përfshirë edhe thirrjet për dorëheqjen e qeverisë së qendrës së djathtë.
