Me qindra qytetarë në shumë shtete evropiane, por edhe në Kanada, SHBA e Australi janë mbledhur për të protestuar kundër regjimit të presidentit bjellorus Lukashenko, duke shfaqur mbështetjen e tyre për opozitën në Minsk.
Njëzëri ata kërkojnë lirimin e gazetarit opozitar, Riman Protesevich cili u arrestua një javë më parë teksa ishte duke udhëtuar me një avion, një ngjarje e paprecedentë që përshkallëzoi raportet e Bjellorusisë me Perëndimin.
Protestat u zhvilluan edhe një ditë pasi Lukashenko mori mbështetjen e homologut rus, Putin. Rusia i premtoi Bjellorusisë një hua 1.5 miliardë dollarë vitin e kaluar si pjesë e përpjekjeve të Moskës për të stabilizuar fqinjin e saj.
Protestuesit kërkojnë që fuqitë perëndimore të jenë në krah të Bjellorusisë dhe që presidenti Biden të mos i besojë shumë shefit të Kremlinit.
“Sot ne jemi këtu për të protestuar kundër aktit terrorist të kryer nga Alexander Lukashenko javën e kaluar, kur ai zbarkoi avionin që mbante gazetarin dhe disidentin politik”, rrëfen një protestuese.
“Ne po kërkojmë nga Biden për të diskutuar me Putin situatën në Bjellorusi, në një mënyrë që të jetë e mirë për njerëzit në Bjellorusi, jo e mirë për Rusinë”, u shpreh Valentina Chevtchenko, ndërsa merrte pjesë në demonstratat në Toronto.
Presidenti i SHBA, Joe Biden pritet të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin në Gjenevë, më 16 qershor.
Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje Lukashenkos që të lejojë një hetim të besueshëm ndërkombëtar për ngjarjen e 23 majit, kur avioni i pasagjerëve ‘Ryanair’ që fluturonte nga Greqia në Lituani, u detyrua të ulej në Minsk.
