Propozimi ngriti në këmbë Maqedoninë dhe Bullgarinë/ Opozita pohon se është i keq, Osmani thotë se duhet të shqyrtohet

TË FUNDIT

Ministri i jashtëm Bujar Osmani akuzon opozitën se me dokumentin që e publikoi Antonijo Milloshoski nga VMRO-DPMNE-ja, vetëm po e manipulon opinionin dhe siç tha, krijon atmosferë para protestës së tyre. Osmani pohon se për momentin vazhdojnë konsultimet mes vendeve anëtare para se të harmonizohet qëndrimi në lidhje me procesin dhe pas kësaj duhet të ketë edhe qëndrim dhe vërejtje eventuale nga ana e Maqedonisë së Veriut.

“Së pari presidenca franceze jep propozime që iu shpërndahen vendeve anëtare. Çdo vend anëtar mund të japë vërejtje duke e përfshirë edhe Republikën e Bullgarisë. Është e rëndësishme që t’i dëgjojmë qëndrimet e të gjitha vendeve anëtare dhe pastaj t’i tregojmë qëndrimet tona. Këto përpjekje të opozitës që ta vendosë këtë proces të rëndësishëm për shtetin tonë në një periudhë shumë të ndjeshme, në funksion të aktiviteteve partiake nesër ose pasnesër, mendoj se është shumë joserioze”- deklaroi Bujar Osmani.

Bashkë me dokumentin të cilin në Fejsbukun e tij e publikoi Antonijo Milloshoski nga VMRO-DPMNE-ja, shkruhet se ka përkeqësime serioze të imponuara si kushte shtesë për Maqedoninë. Ai pohon se një nga kushtet është që Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja me Bullgarinë të bëhen pjesë integruese e kornizës negociuese bashkë me procesverbalet e Komisionit të përbashkët Historik.

“Maqedonisë po i hapet edhe një çështje tjetër minoritetesh, lexo edhe një herë – hapja e Kushtetutës që do të jetë kushti i ri prej të cilit do të varet se kur do të mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare. Procesi i Stabilizimit dhe Asociimit i cili deri më tani ishte i veçuar, do të bëhet pjesë përbërëse e kornizës negociuese dhe përmes tij do të futen kërkesa dhe kushte të reja me Deklaratën Kornizë të Bullgarisë nga viti 2019”- tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

Përndryshe, propozimi francez tashmë ka arritur në Kuvendin e Bullgarisë, kurse mediat e atjeshme përcjellin se në këtë dokument nuk figuron asnjë kërkesë bullgare. Agjencia BGNES në shkrimin e saj komenton se e vetmja gjë që është përmbushur është përfshirja e bullgarëve të Maqedonisë në Preambulën e Kushtetutës. Nuk është paraparë asnjë kusht nga pala bullgare në kornizën negociuese, e me këtë as garanci për kryerje të obligimeve që i ka marrë Shkupi, transmeton agjencia shtetërore. Prej atje shtojnë se kryeministri Kiril Petkov planifikon që në Samitin e BE-së më 23 dhe 24 të këtij muaji ta tërheqë veton ndaj Maqedonisë.