I ashtuquajturi Plan Aksionar i kryetarit të partisë VMRO-Popullore, Lupço Georgievski për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, shkaktoi reagime të ashpra. Propozimet e Georgievskit në fakt janë të gjitha kërkesat për të cilat këmbëngul Bullgaria, e të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë prekin në çështjet e identitetit. Ai propozon që Maqedonia të japë garanci se nuk ka pretendime ndaj Maqedonisë Lindore, që nënkupton pjesën Pirin të Bullgarisë dhe se nuk do ta ndihmojë pakicën maqedonase në Bullgari. Pastaj, Parlamenti bullgar përmes një deklarate të konstatojë se me termin – komb maqedonas dhe gjuhë maqedonase nënkuptohet vetëm komb dhe gjuhë që janë formuar pas vitit 1944. Georgievski angazhohet edhe për ndryshim të strategjisë së komisioneve historike. Akademikja Katica Qullavkova, me reagim se Georgievski qëndron në mbrojtje të hegjemonisë kulturore dhe shtetërore bullgare.
“Ish-kryeministrat dhe ministrat e Republikës së Maqedonisë, të cilët japin propozime për zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, duke e mbrojtur hegjemoninë kulturore dhe shtetërore bullgare janë turp dhe një e keqe, jo vetëm për maqedonasit, por për të gjithë botën e civilizuar”, tha Katica Qullavkova – akademike.
Kryetari i Kumanovës nga radhët e LSDM-së, Maksim Dimitrievski, propozimet e Georgievskit i quajti të turpshme dhe nënvlerësuese. Kërkoi që Georgievski të heqë dorë nga shtetësia maqedonase dhe t’i kërkojë falje popullit maqedonas. Njëkohësisht ai i bëri thirrje Prokurorisë Publike të hapë rast për cenimin e rendit kushtetues dhe shtetëror. Për qëndrimet e Georgievskit, nga LSDM-ja thonë se këto janë qëndrimet e tij personale dhe se partia nuk ka asnjë lidhje me to.
“Qëndrimet tona janë të ndryshme nga qëndrimet e zotëri Georgievskit. LSDM-ja mbetet në pozicionet e saj të qarta që tashmë i ka thënë lidhur me këtë çështje. Mbesim të hapur për dialog për gjetje të një zgjidhjeje, por po përsëris edhe një herë se gjuha dhe identiteti i Maqedonisë nuk janë temë debati. As nuk është biseduar, e as nuk do të bisedohet në të ardhmen për këtë temë”, theksoi Marija Georgievska – LSDM.
Nga VMRO-DPMNE-ja akuzojnë se prapa ideve të Georgievski qëndron kryeministri Zaev…
“Është e papranueshme të pajtohemi se sipas tezës së Zaevit të lëshuar përmes Lupço Georgievskit, kombi maqedonas është një komb i ri. Kini kujdes, këto janë teza të rrezikshme të cilat dëmtojnë interesat kombëtare dhe shtetërore. Më duhet të theksoj se kjo është politika tradhtare e Zoran Zaevit dhe e të gjitha varësve rreth tij, polikë kjo e cila po zhvillohet gjatë disa viteve të fundit”, potencoi Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.
Kjo nuk është hera e parë që Georgievski të paraqesë teza të pazakonta për ardhmërinë e vendit. Opinioni e mban mend tekstin e tij të përpara 15 viteve në të cilin paraqiti teza për shkëmbimin e territoreve dhe popullsisë, respektivisht për demarkacion midis maqedonasve dhe shqiptarëve.
