Në emisionin e “Clik Plus” të TV21 u debatua për fshehje të pasurisë, temë kjo për të cilën VMRO-DPMNE-ja është duke folur tashmë disa ditë. Brane Petrushevski nga partia opozitare akuzon se funksionarët aktualë nuk e paraqesin pronën e tyre dhe se ish-kompania e Kovaçevskit ka marrë para nga buxheti.
“Si është e mundur që institucionet në vend që paguhen për ta bërë këtë, të mos dyshojnë që një kompani në vlerë prej 7,5 milionë denarëve ka realizuar gjithsej 12 pagesa nga shteti edhe atë 31 milionë 586 mijë 443 denarë, para buxhetore të qytetarëve?”- tha Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.
Nenad Kociq nga LSDM-ja, me qëndrim se VMRO-DPMNE-ja duhet të kërkojë falje për akuzat e rreme ndaj zyrtarëve në pushtet.
“Këtë që po e bën VMRO-DPMNE është fabrikim i rasteve. Plasojnë gënjeshtra me të cilat po mashtrohet opinioni me qëllim që të tregojnë se të gjithë jemi të njëjtë. Për fat të mirë, nuk jemi. Unë dhe LSDM jemi kundër çfarëdolloj forme të korrupsionit dhe krimit dhe e dënojmë.”, tha Nenad Kociq, LSDM.
Katica Nikollovska nga Komisioni antikorrupsion tha se funksionarët gjejnë mënyrë se si ta fshehin pronën e tyre të përfituar në mënyrë jo ligjore.
“Ajo që dihet publikisht në Maqedoni është se derisa jemi në funksion, çdokush e fsheh atë që e ka përfituar në mënyrë të paligjshme. Ua dhuron miqve, merret pronë si dhuratë, ndërsa askush nuk shkon një hap më tutje që të hulumtojë nëse ai që dhuron, me të vërtetë ka pronë për ta dhuruar. Nuk mund një pensionist t’i dhurojë një funksionari tre banesa.”- tha Katica Nikollovska, Komision Antikorrupsion.
Ditët e fundit VMRO-DPMNE në konferenca për media akuzoi se 123 funksionarë të pushtetit aktual nuk dorëzuan listë anketuese dhe kanë prona të fshehura me vlerë prej 30 milionë eurove.
