Ndërsa Zvicra dhe opinioni ndërkombëtar vazhdojnë të mbajnë zi për 40 viktimat që humbën jetën natën e Vitit të Ri në klubin “Le Constellation”, në Crans Montana të Zvicrës, pronarët e lokalit, Zhak dhe Xhesika Moreti, kanë tronditur publikun me qëndrimin e tyre mbrojtës. Në vend që të marrin përgjegjësi, ata fajin për zjarrin ia kanë hedhur punonjësve të rinj, në veçanti kamerieres 24-vjeçare Sian Panina, e cila humbi jetën në flakë.
Sipas transkripteve të marrjes në pyetje, të siguruara nga Le Parisien, Zhak Moreti ka deklaruar se kamerierja, me iniciativë personale, kishte kryer një “performancë” me shishe shampanje dhe fishekzjarrë të vegjël, gjë që – sipas tij – kishte ndezur tavanin e ndërtuar me shkumë lehtësisht të djegshme.
“Sianit i pëlqente të ishte pjesë e spektaklit, nuk pamë ndonjë rrezik”, ka deklaruar Moreti para prokurorëve, ndonëse ka pranuar se asnjëherë nuk i kishte dhënë udhëzime sigurie.
Familja e viktimës dhe dëshmitarët e mbijetuar i hedhin poshtë këto pretendime, duke theksuar se pikërisht pronarja Xhesika Moreti e kishte detyruar Sianin të mbante shampanjën duke vendosur një helmetë në kokë.
Një nga pikat më kritike të hetimit lidhet me faktin pse dalja emergjente në bodrum ishte e mbyllur me çelës. Pikërisht pas asaj dere u gjet trupi i pajetë i Sianit. Pronarët kanë fajësuar një punonjës tjetër, duke pretenduar se ai e kishte mbyllur derën gjatë transportimit të akullit, ndërsa punonjësi në fjalë i mohon kategorikisht këto akuza.
Veçanërisht tronditës është edhe një video e publikuar në media, ku dyshohet se shihet pronarja Xhesika Moreti duke ikur nga klubi me arkën e parave në duar, duke injoruar plotësisht personat që luftonin për jetën. E pyetur për praninë e të miturve në klub, përfshirë edhe një fëmijë 14-vjeçar që humbi jetën, ajo është përgjigjur shkurt: “Ndoshta kishin dokumente të rreme identiteti.”
