Prokurorja Speciale Katica Janeva ka dorëzuar në Këshillin e Prokurorëve planet financiare dhe dokumentet përcjellëse për t’ia lehtësuar punën në detyrën e re.
Sipas një komunikate për mediet, thuhet se përveç këshillit të Prokurorëve planet e saja janë edhe në duart e Qeverisë dhe Parlamentit, ndërsa zyra e saj njofton se prokurorja speciale pret që shteti t’i sigurojë buxhetin e duhur për funksionimin e ekipit të saj.
Në këtë njoftim, nuk shkruan se sa është buxheti të cilin e ka kërkuar Janeva, por thuhet se plani i përgjithshëm, plani personal dhe financiar janë bazuar në analizën e dosjeve ekzistuese dhe të ardhshme, si dhe nevoja për të siguruar pavarësinë e këtij organi.
Katica Janeva ka kërkuar që 14 prokurorë të jenë pjesë e ekipit të saj për të hetuar aferën e përgjimeve dhe atë “Puç”, mirëpo Këshilli i Prokurorëve ka shtyrë zgjedhjen e prokurorëve specialë. Kjo çështje delikate për Janevën, pritet të diskutohet në Këshillin Prokurorial Publik, kah mesi i javës së ardhshme.
