Prokuroria publike evropiane po heton furnizimin e vaksinave kundër Kovid-19 në BE

TË FUNDIT

“Prokuroria evropiane konfirmoi se po heton furnizimin e vaksinave kundër Kovid-19 në Bashkimin Evropian”, kumtuan nga institucioni, informoi Bild. Ky konfirmim i referohet “interesit jashtëzakonisht të lartë publik”.

Në këtë fazë nuk publikohen hollësi të tjera, shkruan gazeta.

Gjatë pandemisë, Komisioni evropian negocioi dhe kontraktoi qindra miliona doza të vaksinave në emër të vendeve-anëtare.

Procedura vazhdimisht ishte kritikuar sepse marrëveshjet ishin vetëm pjesërisht të zbardhura apo sepse pati vonesa në dërgesën e vaksinave, përkujton Bild.

Çka saktësisht po heton për momentin prokuroria, mbetet e paqartë. Me muaj posaçërisht ishte kritikuar marrëveshja për deri 1,8 miliardë doza të vaksinës Fajzer/BioNTek nga pranvera e vitit 2021. Atëherë vëllimi i kontratës ishte vlerësuar në 35 miliardë euro.

Siç kumtoi Njujork Tajms, për marrëveshjen ishte vendimtar kontakti personal mes shefes së Komisionit evropian, Ursulla fon der Lajen dhe shefit të Fajzer-it, Albert Burla. Që të dy gjoja kanë këmbyer porosi SMS.

Komisioni evropian refuzoi t’u japë gazetarëve qasje drejt porosive SMS. Sipas raportit nga shtatori, Gjykata evropiane e revizorëve nuk ka marrë kurfarë informata për kontratën. Ombudspersoni evropian, Emili O’Rajli i kritikoi ashpër procedurat e Komisionit evropian.