Prokuroria në Milano po zgjeron hetimin për të ashtuquajturin “Sarajevo Safari” – një skemë e dyshuar e organizuar ku të pasur të huaj, përfshirë edhe shtetas italianë, paguanin shuma të mëdha parash për të marrë pjesë në “fundjavë gjuetie”, duke qëlluar civilë gjatë rrethimit të Sarajevës (1992–1996).
Hetimi u hap bazuar në një kallëzim të bërë nga gazetari dhe shkrimtari italian Ezio Gavazzeni, për dyshimin e vrasjeve të qëllimshme të shumëfishta, të rënda nga motivet e liga dhe mizoria.
Qendrat e transitit, Milano dhe Trieste
Sipas dëshmisë së gazetares dhe aktivistes boshnjake, Mensura Buriç, e cila së fundmi tregoi historinë e saj për portalin italian Fanpage.it, personat që vinin nga vendet perëndimore (si Anglia dhe Gjermania) udhëtonin përmes Italisë.
“Të gjithë ata që vinin nga vendet perëndimore kalonin përmes Italisë, veçanërisht përmes Milanos dhe Triestes. Nga aty fluturonin për në Beograd dhe më pas arrinin në territorin e okupuar nga serbët me automjete ushtarake ose helikopterë,” tha Buriç për Fanpage.
Ajo theksoi se në fillim fenomeni i “safarive të njerëzve” nuk ishte i organizuar. Fillimisht, banorët lokalë serbë paguanin për të vrarë fëmijë dhe të rritur. Më vonë, filluan të vinin grupe nga Greqia, Bullgaria, Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia, e pastaj edhe snajperistë nga vendet perëndimore, të cilët paguanin deri në 100 marka gjermane për çdo vrasje.
Në raportin e saj, Buriç – autore e librit Ne, fëmijët e Sarajevës – thekson mungesën e gjatë të vullnetit për të hetuar këtë fenomen.
Mizoria dhe çmimi për vrasjen e fëmijëve
Detajet nga kallëzimi i Gavazzenit, të cilin e transmetoi edhe gazeta italiane Il Fatto Quotidiano, tregojnë nivele të tmerrshme mizorie.
Sipas burimeve, snajperistët, kryesisht persona të pasur, gjuetarë të pasionuar, adhurues armësh dhe anëtarë të ekstremit të djathtë, ndiqnin një “skenar tmerri”:
- Dëmtimi i qëllimshëm: Snajperisti me të parin plumb qëllimisht plagoste viktimën, e cila mbetej në agonizëm në rrugë.
- Vrasja e shpëtimtarëve: Mizoria përfshinte pritjen që dikush të vinte për ta ndihmuar viktimën, vetëm për të shtuar disa vrasje të tjera mbi të parën.
- Viktima më e shtrenjtë: Për të qëlluar një fëmijë paguhej edhe një kompensim më i madh financiar, siç konfirmoi një oficer anonim i shërbimit sekret slloven që dëshmoi për ngjarjen.
Kallëzimi përshkruan se “turistët-snajperistë” vinin të premten, qëndronin dy-tre ditë, dhe të dielën largoheshin për t’u kthyer të hënën në jetën e tyre normale. Janë përmendur edhe emra italianësh nga Torino, Milano dhe Trieste, të cilët dyshohet se morën pjesë në këto “safari”.
Logjistika, inteligjenca dhe ndikimi politik
Logjistika e këtyre “fundjavave të gjuetisë” ishte shumë e shtrenjtë dhe komplekse.
Gazeta Il Fatto Quotidiano citon dëshmi të një ish-oficeri të shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ushtrisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, i cili tregon se grupet takoheshin në Trieste, nga ku fluturonin për në Beograd me kompaninë e mëparshme serbe të charter-fluturimeve Aviogenex. Nga aty, me helikopterë dhe automjete ushtarake, transferoheshin në kodrat rreth Sarajevës.
Ekzistojnë dyshime se pas organizimit qëndronte Shërbimi i Sigurisë i Serbisë (BIA) dhe inteligjenca ushtarake (KOS), me asistencën e komandantëve lokalë, sipas disa mediave italiane.
Ish-oficeri pohon se dëshmitarët deri sot janë nën presion nga shërbimet serbe për të mbajtur operacionin sekret. Për shembull, një pilot helikopteri u tërhoq nga intervista për një dokumentar, sepse u kërcënua nga agjentët e BIA-s.
“Rruga e snajperistëve” dhe hetimet e mëparshme
Ky fenomen është përmendur më parë gjatë proceseve në Tribunalin e Hagës, por hetimet nuk kanë çuar kurrë në përgjegjësinë e të dyshuarve.
Buriç thekson për Fanpage se kriminelët e luftës sot lëvizin lirshëm pranë viktimave të tyre. Fenomeni i “turistëve-snajperistë” u ekspozua publikisht me filmin dokumentar Sarajevo Safari të regjisorin slloven Miran Župančič.
Kryetarja e Sarajevës, Benjamina Kariç, gjithashtu ka dorëzuar kallëzim në prokurorinë e Bosnjës dhe Hercegovinës në shtator 2022, pas publikimit të filmit.
Sulmet me snajper ndodhnin kryesisht në të ashtuquajturën “Sniper Alley”, që shtrihej nga Marijin Dvor deri te ambasada amerikane. Siç shpjegoi Buriç, për shkak të pozicionit gjeografik të Sarajevës, forcat serbe kishin pamje të qartë nga kodrat për qendrën, ndërsa civilët përpiqeshin të fshiheshin nën batanije dhe rroba për të reduktuar dukshmërinë.
Që nga marsi 1995, gazeta La Stampa raportonte për njerëz që “nga disa aeroporte evropiane (gjermane dhe angleze) rezervojnë ‘fundjavë lufte’ për ish-Jugosllavinë. Programi ofron mundësinë për gjueti të madhe.”
Në të njëjtën kohë, gazeta Corriere della Sera në mars 1995 botoi artikullin “Pushime në Bosnje për të luftuar”, ku përmendeshin “turistë italianë që shkojnë në ish-Jugosllavi për të ndjekur luftime. Disa edhe argëtohen duke vrarë.”
Hetimi në Milano, i nisur me qëllim të identifikimit të italianëve që morën pjesë në “gjuetinë e njerëzve”, është hapi i parë serioz ligjor pas 30 vjet heshtjeje.
