Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për të dyshuarit për vrasjen e Vanjës dhe Pançes

TË FUNDIT

Prokurorja Ana Stoilkoviq Dimitrovska tha fjalët përfundimtare në rastin për vrasjet e Vanjës dhe Pançes, dhe kërkoi burgim të përjetshëm për Ljupço Palevskin, Bore Videvskin, Velibor Manevin dhe Vllatko Keshishevin.

“Nuk ka dënim që do të jetë i mjaftueshëm për familjet e viktimave”, tha prokurorja Dimitrovska gjatë fjalëve përfundimtare.

Ajo shpjegoi se pse Prokuroria kërkon një dënim kaq të rëndë.

“Të njëjtit persona e dëgjojnë me kujdes sesi Vanja lufton për jetën e saj dhe shpjegon se ku mund të kërkohen paratë, dhe të akuzuarit me një plumb e realizojnë qëllimin e tyre. Edhe pse të dy vrasjet janë të kualifikuara si më të rënda, dhe dënimi për to varion nga minimumi 10 vite deri në burgim të përjetshëm, ajo diferencë mes minimumit dhe maksimumit është e madhe. Prandaj Gjykata duhet ta marrë parasysh me kujdes mënyrën e kryerjes së veprave dhe vendosmërinë e tyre në realizimin e qëllimit. Nuk ka rrethana lehtësuese. Për këto arsye, Prokuroria kërkon që të katër të shpallen fajtorë dhe të dënohen me burgim të përjetshëm”, tha Dimitrovska.

Më herët, Prokuroria shprehu edhe një herë dyshimin se babai i Vanjës, Aleksandri, ka qenë i përfshirë në planin për rrëmbimin e vajzës së tij.