Prokuroria jep detaje për aksionin e sotëm të policisë

TË FUNDIT

Prokurori special, Sylë Hoxha u deklaruar sot në një konferencë për media lidhur me aksionin e policisë në veri. Hoxha deklaroi se prokuroria ka filluar veprimet që nga prilli i vitit të kaluar.

“Prokuroria Speciale e Kosovës i ka filluar veprimet procedurale qysh nga prilli i vitit të kaluar, ndaj disa personave të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, krim të organizuar, kontrabandim me mallra, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti e kështu me radhë. Gjatë kësaj periudhe në bashkëpunim me hetues të Inspektoratit dhe Policisë kemi kryer shumë veprime procedurale. Kemi marrë urdhëresat e Gjykatës Themelore dhe në bazë të tyre hetuesit kanë vepruar në terren. Pas këtij aktiviteti, thuajse njëvjeçar, Prokuroria pasi grumbulloi provat parashtroi kërkesë te Gjykata Themelore në Prishtinë, për një kërkesë për kontroll të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse të këtyre të dyshuarve. Kemi eprorë policorë të arrestuar, zyrtarë të policisë, pjesëtarë të nacionalitetit serb, shqiptar e boshnjak. Në mesin e të dyshuarve kemi edhe qytetarë, jo zyrtarë, që kanë kryer veprimet e tyre për çka dyshohet, për kontrabandim të mallrave dhe veprat e ngjashme”, tha ai.

Ndërsa, kryeshefja ekzekutive e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi tregoi se gjatë aksionit të policisë në veri janë bastisur 12 lokacione, janë ndaluar 19 punonjës të Policisë, 11 të nacionalitetit serb, 4 shqiptarë, 4 boshnjakë, prej punonjësve të arrestuar një ka qenë në gradën e kapitenit – komandant stacioni, 3 në gradën e rreshterit dhe 3 zyrtarë policorë. Po ashtu, ajo njoftoi se janë konfiskuar sende të ndryshme ilegale, pajisje teknologjike dhe një sasi parash.

Po ashtu, Kelmendi tha se me vendim të prokurorit ata janë ndaluar për 48 orë dhe janë suspenduar nga detyra.

Operacioni i sotëm policor është shtrirë në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat: Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas. Gjatë këtij aksioni, përveç hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, policia ka hasur edhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare, me ç’rast janë detyruar të përdoren mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve me qëllim të vazhdimit të operacionit policor./21Media