Një ekip i posaçëm hetimor në zyrën e prokurorit të Tokios ka vendosur të mos ngrejë akuza kundër ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe për ryshfet të votuesve dhe shkeljen e ligjit për fondet politike.
Ndërkohë, prokurorët kanë vendosur të padisin Hirojuki Hajkava, sekretarin e lartë të ish-kryeministrit 66-vjeçar.
Paraprakisht u raportua ë se aktakuza kishte të bënte me mbajtjen e pritjeve në një hotel në Tokio nga viti 2013 deri në vitin 2019 për mbështetësit e Shinzo Abe nga qendra e tij e votimit në prefekturën Jamaguçi në jugperëndim të ishullit kryesor të Honshu. Pagesat e tilla mund të konsiderohen shkelje e ligjit dhe ryshfet e votuesve. Një person i dënuar sipas këtij neni përballet me deri në pesë vjet burg ose me një gjobë deri në 1 milionë jen (rreth 9,7 mijë dollarë). Opozita aktualisht po kërkon që ish-kryeministri të thirret në parlament dhe të merret në pyetje për rrethanat e çështjes.
Shinzo Abe drejtoi qeverinë japoneze nga dhjetori i vitit 2012 deri në shtator të vitit 2020, kur dha dorëheqjen për arsye shëndetësore.
Prokuroria publike japoneze e pyeti Abe tre ditë më parë në lidhje me akuzat se partia e tij politike kishte paguar në mënyrë të paligjshme një pjesë të shpenzimeve për darka për mbështetësit.
Prokuroria pastaj njoftoi se kishte në plan të ngrinte akuza kundër sekretarit të Abe për pretendimin për mosmbajtje të evidencës të faturave fiskale për darka, siç kërkohet nga ligji.
Shpenzimet e përgjithshme, që nuk janë publikuar në raportet politike, me siguri tejkalojnë 40 milionë jen (387.000 dollarë), thonë nga prokuroria.
