Projekti për “Cvetan Dimovin” kaloi në Këshillin e Shkupit! Punimet pritet të nisin këtë vit dhe do të zgjasin deri në 2028

TË FUNDIT

Këtë vit pritet të nisin punimet në rrugën “Cvetan Dimov” në Çair, njëri nga bulevardet më problematik të qytetit, ku çdo ditë është rrëmujë. Projekti kaloi në këshillin e Qytetit të Shkupit, ndërsa për zgjerimin e këtij bulevardi do të duhet të eksproprijohen rreth njëzet objekte, obligim që e ka marrë kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.

“Detyrimet për ta bërë projektin, do të jenë të komunës së Çairit, këtë e bëmë mbrëmë me vendimin e Këshillit, vendosjen e bashkëpunimit ndërkomunal, ndërsa ne do ta financojmë, gjithashtu do ta bëjmë shpronësimin për të gjithë projektin. Nuk do të jetë projekt…asnjëherë nuk do të jap premtim që nuk do ta mbajë, nuk do të jetë projekt që do ta mbarojmë për disa muaj, atje na presin aktivitete serioze, fillimisht në lidhje me shpronësimin, pastrimin e aksit dhe gjithçka që nënkupton realizim”, tha Orce Gjeorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit.

Kryetari i Çairit në Click Plus tha se për këtë projekt nuk ka kompromis sepse siç shtoi, është arterie kryesore e komunës.

“Pika më kritike është ndërtesa që ka mbetur prej kohës së komunizmit, ndërtesa përballë shkollës Liria. Të tjerat.. edhe ata që kanë ndërtuar objekti të përkohshme, i dinë vijat e kuqe.  Edhe ato që prishin do të dëmshpërblehen sepse ka buxhet 2-3 milionë euro për dëmshpërblim. Këtu kompromis nuk ka për shkak se është arterie kryesore e Çairit”, pohoi Izet Mexhiti – Kryetar I Çairit. 

Projekti parashihet të realizohet në segmentin nga kryqëzimi me “Nikolla Karev” deri te kryqëzimi me “Xhon Kenedi”, me vlerë 150 milionë denarë dhe afat realizimi 2026–2028. Gjatë kësaj periudhe duhet të zgjidhen disa çështje: të përpunohet projekti, të kryhet eksproprijimi i objekteve, të ruhen drunjtë, si dhe të planifikohet gjelbërimi qendror.